SHQIPËRI- Qeveria shqiptare beson se do ta nisë vitin e ri me një marrëdhënie të re e më pozitive me Greqinë. Zgjidhja e çështjes Beleri dhe një drejtues i ri i përkohshëm i Bashkisë Himarë, janë hapa që po shqyrtohen, tha ministri i jashtëm Igli Hasani.
“Ka bisedime. Ka angazhim pozitiv të të dy vendeve për të tejkaluar problemet që të hapim konferencën e dytë ndërqeveritare. Qeveria po sheh të gjitha hapat për një zgjidhje të besueshme e të qëndrueshme”, theksoi ai.
Por Beleri nuk është çështja e vetme e ngelur pezull me fqinjët helenë. Kufiri detar u la për tu zgjidhur në Gjykatën e Hagës, por palët nuk kanë bërë hapa përpara në këtë drejtim. Diplomati Hasani deklaron se për Shqipërinë, çështja ka ngecur tek Presidenti.
“Presim plotfuqishmërinë nga Presidenti. Jemi të gatshëm t’i japim informacion shtesë nëse e ndihmojmë për vendimmarrjen”, tha kryediplomati.
Qeveria po vijon punë për zbatimin pa vonesa të marrëveshjes me Italinë për pritjen e emigrantëve.
“S’kemi plan B. Po vijojnë përgatitjet”, shtoi ministri.
Pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve të jashtme, është edhe ajo me Bashkimin Evropian, i cili kërkon dialog ndërpartiak si kusht për integrimin. Për kryediplomatin, kjo bëhet e pamundur nga qëndrimi i opozitës.
“Duhet ta duan të dyja palët. Jo kur njëra palë do fishekzjarrë. Ne do vijojmë reformat”, tha Hasani./ abcnews.al