Fitorja kundër Interit e dërgoi në vend të parë dhe Juventusi nuk dëshiron ta lëshojë më kryesimin. Nesër është ndeshja shtëpiake kundër Bolognës së Mihajlovic. Maurizio Sarri ka prekur disa tema gjatë konferencës për shtyp.
Trajneri i bardhezinjve flet për situatën e të dëmtuarve, konfirmon Cuadradon në rolin e mbrojtësit të djathtë dhe analizon kundërshtarin e radhës.
TË DËMTUARIT – “Nuk e di nga ka dalë lajmi i rikthimit të Douglas Costa, ai vazhdon të stërvitet i veçuar. Braziliani dhe De Sciglio kanë dhënë sinjale pozitive, por nuk janë bashkuar akoma me grupin. Nga ana tjetër, janë rikthyer Ramsey dhe Danilo”.
CUADRADO – “Unë do të vazhdoj ta stërvis atë si mbrojtës të djathtë. Po hedh hapa cilësorë dhe po arrin të merret vesh e bashkëpunojë me shokët e repartit. Cuadrado ka ende gjëra për të përmirësuar. Duhet të evitojë rreziqet e tepërta dhe duhet të stërvitet më shumë për të kryer anësorin mbrojtës, jo atë sulmues”.
BOLOGNA – “Ata janë një kundërshtar shumë i rrezikshëm. Rikuperojnë shumë mirë topin, godasin portën kundërshtare dhe nuk të lejojnë shumë raste. Shpresoj që nesër ta shoh Mihajlovic në pankinë, do ishte kënaqësi të takohesha me të”. /abcnews.al