VIDEO/ Vrasja në burgun e Peqinit, Sokol Mjacaj në Gjykatën e Elbasanit nën masa të rrepta sigurie

schedule10:12 - 19 Dhjetor, 2023

schedule 10:12 - 19 Dhjetor, 2023

Sokol Mjacaj do të dalë këtë të martë para gjykatës. I dënuari përjetë, i cili vrau Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, dy të dënuar të tjerë në burgun e Peqinit, do të njihet me masën e sigurisë në Gjykatën e Elbasanit.

Nga pamjet e siguruara nga ABC News, shihet se në Gjykatën e Elbasanit janë shtuar forcat e policisë, teksa Mjacaj ka mbërritur nën masa të rrepta sigurie.

“Nën masa të rrepta sigurie është duke filluar gjyqi ndaj Sokol Mjacajt, i akuzuar për vrasjen e Arben Lleshit në burgun e Peqinit. Policia ka marrë të gjitha masat për të siguruar të pandehurin, por edhe personat e tjerë të përfshirë që janë thirrur si të pandehur. Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e arrest me burg për personat e përfshirë në këtë çështje. Për Sokol Mjacajn është kërkuar masa e sigurisë arrest me burg, por edhe për drejtorin e burgut të Peqinit.

Edhe pse kemi pasur komunikim me avokatin që do të mbrojë Mjacajn, na ka konfirmuar se nuk ka bërë ndryshime në dëshminë e dhënë. Gjatë ditës së sotme, para gjyqtares do të japin shpjegimet e tyre edhe 12 punonjësit e burgut të Peqinit që akuzohen per te pakten 3 shkelje te kryera. Policia dhe grupi i hetimit është e rezervuar në dhënien e informacioneve sa i takon dosjes, pasi ende nuk është mbyllur. Seanca e sotme është hapi i parë drejt kësaj çështjeje”, raportoi gazetarja e ABC News, Edisona Skënderi.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Mjacaj ka deklaruar se vrasjen e kreu pas një sherri banal me Arben Lleshin dhe pasi mësoi nga të burgosurit e tjerë se do të izolohej në qelitë e 41-bisit, shkoi për të vrarë në qelinë ku ai qëndronte. 28-vjeçari është pyetur edhe për porosinë që dyshohet se e ka marrë nga jashtë.

Ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke thënë se vrasja ka ndodhur pas një sherri që ka pasur me viktimën. Hetuesit kanë dyshime se Mjacaj është porositur nga persona të tjerë për vrasjen e Lleshit dhe për këtë kanë kryer edhe kontrolle në banesën e Mjacajt në Dukagjin por edhe të vëllait të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!