Është padyshim sezoni i karrierës. Indrit Tuci po arrin pjekurinë e tij në futboll në moshën 23-vjeçare, ndërsa sërish ishte protagonist për skuadrën e Lokomotiva Zabgreb, e cila arriti një fitore të thellë, 3-0, në fushën e vet ndaj Istrës, dhe sulmuesi shqiptar shërbeu asistin për njërin nga golat.
Për Tucin janë 6 gola e 2 asistë këtë sezon në Ligën e Parë të Kroacisë, dhe po ndihmon Lokomotivën që të ruajë statusin si skuadër e elitës. Futbollistit kuqezi iu anulua edhe një gol me VAR.
Duke kaluar në Itali, Etrit Berisha nuk mjaftoi për Empoli-n. Skuadra nga Toskana e humbi sfidën e Serisë A në fushën e Torino, me rezultatin minimal 0-1, ndërsa portieri i kombëtares nuk bëri gabimet e ndeshjes paraardhëse.
Duke mbetur gjithashtu në Itali, por duke zbritur një kategori më poshtë, kemi një hero shqiptar. Ky është Silvio Merkaj, që shënoi gol dhe shërbeu asist për Sudtirol, pra skuadrën e minoritetit austriak në Veri të Italisë. Ekipi i Merkajt triumfoi 3-2 në fushën e Venezia, një fitore e rëndësishme dhe Merkaj ishte më i miri në këtë duel.
Ndërkaq, në Angli, Armando Dobra shënoi një tjetër gol në ligat e ulëta, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij, Chesterfield, ndaj Hartlepool, me rezultatin minimal, 1 me 0. /i.m /abcnews.al