Associated Press: Rama “aleat kyç” për menaxhimin e emigrantëve në Europë

schedule11:57 - 17 Dhjetor, 2023

schedule 11:57 - 17 Dhjetor, 2023

Udhëheqësit e Italisë dhe Britanisë së Madhe ranë dakord të shtunën për të menaxhuar emigrimin e paligjshëm në Europë, duke u zotuar të intensifikojnë bashkëpunimin në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Associated Press, e ka cilësuar Kryeministrin shqiptar Edi Rama një “aleat kyç” për menaxhimin e emigrantëve në Europë nga Afrika e Veriut në brigjet europiane.

Zyra e Melonit tha në një deklaratë pas takimit se bisedimet me Sunak “u fokusuan kryesisht në punën e përbashkët në fushën e migracionit në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në Londër” në prill.

Dy udhëheqësit thuhet se ranë dakord të bashkë-financojnë projektin e parë italo-britanik të riatdhesimeve në vendet e origjinës, të hartuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin për migrantët e bllokuar në Tunizi.

Rama, Meloni dhe Sunak ranë dakord për të trajtuar emigracionin e paligjshëm “në mënyrë gjithnjë e më të strukturuar, duke intensifikuar më tej bashkëpunimin midis tre vendeve për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore”, thuhet në deklaratë.

Ata diskutuan gjithashtu edhe çështje të tjera, duke përfshirë pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia dhe krizën në Lindjen e Mesme.

Gjatë muajve të fundit, Sunak ka bashkëpunuar me Melonin dhe ka kërkuar mbështetje nga liderë të tjerë europianë për të ndihmuar në goditjen e migracionit, me Shqipërinë dhe Italinë që shihen si partnerë vendimtarë.

Pas takimit me Melonin, Sunak mori pjesë në një tubim politik të organizuar nga partia e saj Brothers of Italy, së bashku me të ftuar të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Ramën dhe sipërmarrësin miliarder Elon Musk.

Një marrëveshje për migracionin midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane është frymëzuar pjesërisht nga përpjekjet e gjata të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të dëbuar azilkërkuesit në Ruandë.

Marrëveshja midis Romës dhe Tiranës përfshin pritjen e emigrantëve në Lezhë, por Gjykata Kushtetuese shqiptare ka pezulluar ratifikimin e saj në parlament në pritje të një vendimi për sfidat e planit.

Rama tha të shtunën se ai është i sigurt në vlerësimin e gjykatës për marrëveshjen, sepse nuk ka asgjë antikushtetuese dhe se ai pret që vendimi të merret shumë më shpejt se afati i marsit.

Në fillim të nëntorit, Rama dhe Meloni nënshkruan një marrëveshje fillestare për ngritjen e dy qendrave në Shqipëri.

/abcnews.al