Frikë nga sulmet terroriste/ Arrestohen të dyshuar në Gjermani, Holandë dhe Danimarkë

schedule14:03 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 14:03 - 15 Dhjetor, 2023

Autoritetet policore dhe shërbimet anti-terroriste në Europë janë vënë në  gatishmëri, nga frika e sulmeve terroriste përpara festave.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë ndezur një valë të re shqetësimi në Bashkimin Europian për një rritje të sulmeve terroriste në vende të ndryshme dhe autoritetet kanë arrestuar disa të dyshuar në Gjermani, Danimarkë dhe Holandë.

Danimarka dhe Gjermania njoftuan të enjten arrestimin e shtatë të dyshuarve për terrorizëm, duke përfshirë disa anëtarë të dyshuar të Hamasit, të cilët dyshohen për planifikimin e sulmeve në Institucionet hebraike në Europë në mes të luftës së vazhdueshme Izrael-Hamas.

Në Gjermani, autoritetet thanë të enjten se arrestuan tre anëtarë të dyshuar të Hamasit të cilët dyshohet se po planifikonin sulme ndaj institucioneve hebraike në Europë.

Dy burra u arrestuan në Berlin dhe një në Roterdam, Holandë, ndërsa një i dyshuar i katërt u ndalua përkohësisht në Berlin, tha prokurori federal i Gjermanisë.

Policia daneze tha se tre persona të tjerë u arrestuan në të gjithë Danimarkën, ndërsa një person i katërt u arrestua në Holandë me dyshimin për komplot për të kryer një “akt terrorist”.

Në Holandë, policia njoftoi se një 57-vjeçar holandez u arrestua në qytetin e Roterdamit me kërkesë të autoriteteve gjermane, sipas një zëdhënësi të autoriteteve.

Në Izrael, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se shtatë të dyshuar ishin arrestuar në Europë.

/abcnews.al