Me tatuazhe, kapele dhe syze/ Publikohet fotoja e Lulzim Berishës pas arrestimit në Spanjë

schedule18:15 - 14 Dhjetor, 2023

schedule 18:15 - 14 Dhjetor, 2023

ABC News ka siguruar foton e Lulzim Berishës pas arrestimit të tij. Ish-kreu i bandës së Durrësit Lulzim Berisha, i cili u arrestua në Spanjë, kishte ndryshuar komplet look për të mos u njohur nga autoritetet.

Lulzim Berisha u arrestua për herë të parë në 6 prill 2006. Ndaj tij, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza, përfshirë krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera pas trazirave të vitit 1997 dhe deri në vitin 1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda. Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames.

Në Korrik 2014, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për burgim të përjetshëm, duke e dënuar Lul Berishën përfundimisht me 25 vjet burg. Kalvari i përballjes gjyqësore nga Lulzim Berisha vijoi edhe në dhjetor të vitit 2016, ku ai u lirua nga burgu me një vendim të Apelit të Gjykatës së Durrësit, kur i kishin mbetur edhe 5 vite dënim.

Më pas ishte Gjykata e Lartë, e cila me 7 dhjetor të vitit 2021, rrëzoi vendimin e Apelit të Durrësit, duke kërkuar rikthimin në burg të ish kreut të Bandës së Durrësit.

Nga ana tjetër, në 8 dhjetor të 2020 SPAK njoftoi zbardhjen e dy ngjarjeve kriminale të ndodhura 15 vite më parë ku fillimisht do të ekzekutohej Klodian Saliu dhe më pas me eksploziv Vajdin Lamaj dhe miku i tij Artan Arsi. Sipas dosjes hetimore, zbulimi i personave të përfshirë në këto dy ngjarje u bë përmes dëshmisë së një prej të akuzuarve, Luftar Reçit i cili tha disa emra që sipas tij ishin të përfshirë, ku ndër to ai përmendi dhe Lulzim Berishën.

Lulzim Berisha ka qenë edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, në shkurt të 2020, ku u kërkua sekuestrimi pasurive të tij dhe të familjarëve për shkak se dyshohej se janë përfituar nga veprimtari të jashtëligjshme./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!