SHBA/ Gjykata e Lartë merr në shqyrtim çështjen që mund të çojë në pushimin e akuzave për trazirat e Kapitolit

schedule23:49 - 13 Dhjetor, 2023

schedule 23:49 - 13 Dhjetor, 2023

Gjykata e Lartë tha të mërkurën se do marrë në shqyrtim apelimin e një vendimi që mund të çojë në pushimin e qindra padive që rrjedhin nga trazirat e Kapitolit, përfshirë ish-Presidentin Donald Trump.

Gjykatësit do të shqyrtojnë apelimin e një vendimi të një gjykate më të ulët, që pranoi ngritjen e akuzave ndaj tre të pandehurve për pengim të një procedure zyrtare. Akuza i referohet përpjekjeve për të penguar certifikimin nga Kongresi të fitores së demokratit Joe Bidenit ndaj republikanit Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Kjo është një nga katër akuzat që janë ngritur kundër zotit Trump nga ish prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili e akuzon kandidatin kryesor republikan për garën presidenciale të vitit 2024, për komplot për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i kishte humbur. Zoti Trump është akuzuar gjithashtu për komplot për të penguar një procedure zyrtare.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për të marrë në shqyrtim ngritjen e akuzës për pengim të një procedure zyrtare mund të vërë në rrezik nisjen e gjyqit ndaj ish Presidentit Donald Trump, që pritet të zhvillohet më 4 mars.

Gjyqtarët po shqyrtojnë veçmas nëse duhet të merret shpejt një vendim lidhur me pretendimet e zotit Trump se ai nuk mund të ndiqet penalisht për veprimet e ndërmarra kur ishte president. Një gjykatëse federale tashmë e ka hedhur poshtë këtë argument.

Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza për pengim të një procedure zyrtare kundër më shumë se 300 të pandehurve pas sulmit të 6 janarit 2021, kur mbështetës të ish Presidentit Trump sulmuan Kapitolin në një përpjekje për penguar demokratin Joe Biden të merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Më shumë se 1200 persona janë akuzuar për krime federale pas trazitave të 6 janarit dhe më shumë se 650 të pandehur kanë pranuar fajësinë./VOA