Gjykata Kushtetuese pezullon marrëveshjen për emigrantët: Kuvendi të mos ndërmarrë asnjë procedurë

schedule17:23 - 13 Dhjetor, 2023

schedule 17:23 - 13 Dhjetor, 2023

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar procedurat për marrëveshjen për emigrantët me Italinë. Në këtë mënyrë, pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend deri në momentin e shqyrtimit në themel. Seanca për shqyrtimin e padisë do të mbahet në 18 Janar, ora 10:00.

“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 13 Dhjetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, mbledhja e gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 Janar 2024, ora 10:00.”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Gazetarja Erneta Shevroja raporton se Kushtetuesja po shqyrton kërkesën e grupimit Bardhi-Berisha ndërkohë që kërkesa e PD-së zyrtare, është kthyer për plotësim pasi sipas gjykatës ka mangësi.

Kujtojmë që marrëveshja parashikon që emigrantët që nisen për në Itali, të hyjnë në Shqipëri përmes portit të Shëngjinit dhe të trajtohen në një kamp në Gjadër. Kostot financiare do t’i përballojë Italia, dhe emigrantët do të rrinë aty vetëm sa të përfundojë shqyrtimi i kërkesave të tyre për azil./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!