“Rasti Berisha ka futur në mendime të thella maxhorancën”, Minxhozi: Kërcënimi i Ramës me zgjedhje të parakohshme nuk është i rastësishëm

schedule20:44 - 12 Dhjetor, 2023

schedule 20:44 - 12 Dhjetor, 2023

Analisti Skënder Minxhozi thekson se beteja me drejtësinë nuk do ta largojë Sali Berishën nga politika pasi Rithemelimi vazhdon të identifikohet me të. I ftuar në emisionin “Real Story” me Sokol Ballën, analisti theksoi se tronditja që ka marrë Berisha ‘ka futur në mendime të thella edhe maxhorancën’.

“Mendoj se ne i kemi dhënë një përgjigje pak të ndryshme idesë fillestare, rënia e një lideri politik dhe nuk është prej shumë kohësh. Këtu ose je ose nuk je në sensin që çfarë kemi sot si fotografi në atë që quhet PD. Kemi një kryetar të vogël zyrtar, i cili vlen 40 mijë vota në zgjedhjet më të fundit dhe që ka një peshë politike shumë të vogël për momentin, që vjen vërdallë me disa aktivitete komplet të stisura dhe nuk është aty në zhvillimet më kyçe politike. Çfarë është PD sot? Porcioni më i madh i PD-së sot identifikohet me Sali Berishën.

Çfarë do të thotë shkresa e sotme e Altin Dumanit që e fut Berishën në shtëpinë e vet dhe nuk e lë të dalë? Do të thotë dhe ikja e tij de jure dhe de facto nga kjo copë e madhe PD, e cila vlen 400 mijë vota? Mendoj se jo sepse Rithemelimi vazhdon të identifikohet me doktorin, nuk pranojnë të përgjigjen edhe kur ai ishte jashtë nëse do të jetë kandidat për kryeministër në 2025, dhe e kamuflonin. Mund të jetë dikush tjetër por që do të jetë lider i kësaj cope të partisë, nuk besoj se kjo e sotmja e ndryshon këtë realitet.

Pra Berisha sadopak të ketë peshë dhe në tkurrje të vijë në këtë proces, ai merr goditje. Berisha sot nuk ndryshon cilësisht. Nuk ka dalë Berisha nga politika dhe madje për një grusht burrash është një viktimë e një drejtësie politike dhe një hero i madh i politikës që po sakrifikon veten që ne të tjerët gëzojmë disa liri që, sipas tyre, regjimi i ka zeruar. Berisha nuk është se del sot nga politika. Mendoj që efektet e asaj që kanë ndodhur sot me Berishën, duhet t’i shohim pak më gjerë sepse janë më virtuale dhe duhet të bëjmë një lloj parashikimi se çfarë mund të ndodhë.

Për shembull tronditja që po merr sot Rithemelimi dhe Berisha si shef i tij e ka futur në shumë mendime të thella maxhorancën. Për mua togfjalëshi ‘zgjedhje të parakohshme’ të Ramës nuk është aspak e rastësishme por lidhet direkt sepse në fushë ka hyrë SPAK.”, u shpreh Minxhozi./abcnews.al