Dyshuan se e vodhën në një dhomë hoteli në Paris, gjendet brenda fshesës me korrent unaza me vlerë 750,000 euro

schedule15:12 - 11 Dhjetor, 2023

schedule 15:12 - 11 Dhjetor, 2023

Një unazë me vlerë 750,000 euro, e cila kishte humbur në një dhomë në hotelin Ritz në Paris, u gjet brenda një fshese me korrent.

Xhevahiri i shtrenjtë i përkiste një vizitoreje nga Malajzia, e cila denoncoi në polici zhdukjen e unazës së diamantit. Pas një hetimi, hoteli pretendoi se sigurimi e gjeti unazën në një fshesë me korrent. Sipas “Le Parisien”, unaza është gjetur, por nuk dihen rrethanat në të cilat ajo ka humbur.

“Ne dëshirojmë të falënderojmë stafin e Ritz Paris që u mobilizua për këtë hetim dhe që punoi me integritet dhe profesionalizëm”, tha klientja për Le Parisien, që është një biznesmene malajziane. Ajo i kishte thënë policisë se e kishte lënë unazën në një tavolinë të premten e kaluar, teksa po bënte pazar në qytet për disa orë dhe pohoi se kur u kthye në dhomë, ajo ishte zhdukur.

Nuk është hera e parë që hoteli i famshëm në Place Vendome bën lajme globale për një vjedhje. Sipas “Guardian”, në vitin 2018, një anëtare e familjes mbretërore saudite raportoi vjedhjen e bizhuterive në vlerë prej 800 mijë eurosh nga suita e saj, ndërsa disa muaj më parë pesë persona të armatosur hynë në hotel dhe u larguan me 4 milionë euro bizhuteri./abcnews.al