Grupi i Vishegradit ka kërkuar që të iniciohet debat në Këshillin Evropian, gjatë samitit të BE-së, lidhur me fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kërkesa është bërë përmes një letre dërguar kryetarit të këshillit, Donald Tusk.
Kryeministrat e vendeve anëtare të Grupit të Vishengradit i kanë kërkuar kryetarit të Këshillit Evropian, Donal Tusk, që të mundësohet debat për fillimin e negociatave të Unionit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjatë zhvillimit të Samitit të BE-së, që do të mbahet sot dhe nesër në Bruksel.
Kryeministrat e Polonisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë thonë në letrën dërguar zotit Tusk se janë të pakënaqur nga mungesa e konsensusit në takimin e së martës midis shefave të diplomacive të vendeve anëtare, lidhur me fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e të dy vendeve.
Ata propozojnë që në Samitin e BE-së këtë javë të inicohet debat në një përpjekje për të zhbllokuar këtë ngërç. Katër kryeministrat thonë se vendimi që do të merret për dy vendet do të përfaqësojë edhe besueshmërinë e BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të ketë pasoja për sigurinë edhe stabilitetin e BE-së.
Ata dënojnë faktin se BE ende nuk është në gjendje që t’u garantojë këtyre vendeve perspektivë të qartë evropiane”.
Ka reaguar ndërkohë edhe anëtarja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, e cila i është drejtuar presidentit francez Macron, duke i e quajtur JO-në franceze një turp të madh dhe duke i bërë thirrje zotit Macron që të zgjohet.
“Eshtë koha që BE të tregojë pjekuri dhe përgjegjësi politike. Këta drejtues kanë bërë pjesën e tyre të punës! Tani është radha e Këshillit të Bashkimit Evropian për të përmbushur pjesën e tij dhe më në fund pranojnë të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, shkruan Fajon në rrjetet sociale, duke postuar edhe foto me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe ministrin e Jashtëm Nikola Dimitrov./abcnews.al