Ministri i Financave, Ervin Mete njoftoi sot gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS-së një paketë për mbështetjen e shtresave vulnerabël që do të jepet brenda këtij viti. Ekspertja për ekonominë Morena Broja theksoi se ky bonus është minimal dhe se duhet të ketë edhe forma të tjera mbështetjeje.
Në një intervistë që dha për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ekspertja theksoi se disa mënyra mbështetjeje janë përjashtimi i tyre nga sistemi i taksimit.
“Mendoj se është i domosdoshëm dhe jo vetëm bonus por të ndiqen edhe forma të tjera të mbështetjes së këtye kategorive sepse ka një rritje të çmimeve të produkteve bazë që domethënë se kategori të caktuara e kanë të pamundur mbijetesën në këto kushte aktuale. Kështu që ofrimi i këtij bonusi është gjëja më minimale që mund të bëhet. Ka një rritje të pagave në sektorin privat, publik dhe indeksimi i tyre ka ardhur për shkak të shumë faktorëve kështu që është e domosdoshme mbështetja e kësaj kategorie. Në vendet e zhvilluara bëhet monitorim më i mirë i të ardhurave dhe shpenzimeve të secilit individ dhe këto shtresa mbështeten jo vetëm me subvencione të caktuara por përjashtohen edhe nga sistemi i taksave. Duhet të mbështeten edhe në forma të tjera dhe të përjashtohen nga sistemi i taksimit apo pagesa të tjera që ato kryejnë. Kostot e jetesës në Tiranë për shembull janë pothuajse të njëjta në një qytet evropian ku paga është trefish më e lartë kështu që nëse nuk mbështesin këto grupe të margjinalizuara krijohet një kaos.”, u shpreh ekspertja e ekonomisë.
Duke u ndalur tek rritja e përqindjes së normës së inflacionit në Nëntor, ajo tha se kjo është e pashmangshme. Sa i përket rritjes së çmimeve, ajo theksoi se duhet të bëhet një monitorim më i rreptë sa i përket rritjes së çmimeve në vend, sidomos gjatë periudhave të festave.
“Përqindjet e normës së inflacionit janë të pritshme dhe të pashmangshme. Vihet re se ka rritje të lartë të çmimeve të ushqimeve bazë dhe kjo është ndikim i importit. Ne për produktet bazë varemi nga importi apo markat e huaja. Ndaj edhe këta janë faktorë që që ndikojnë në përqindjen e normës së inflacionit nga 3.8 në 3.9 në nëntor. Tendencat sa i përket rritjes së çmimit të produkteve të konsumit në Shqipëri janë të ndryshme sepse në vendet e zhvilluara një politikë për të kontrolluar çmimet sidomos gjatë festave.”, u shpreh Boja./abcnews.al