Miratimi i buxhetit 2024 mes kaosit në Kuvend, Minxhozi: Opozita e papërgjegjshme edhe përballë miliardave të shqiptarëve

schedule17:36 - 7 Dhjetor, 2023

schedule 17:36 - 7 Dhjetor, 2023

Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë në “NewsLine” në ABC foli për kaosin në Kuvend dhe miratimin e buxhetit mes tymit dhe përplasjeve me opozitën.

Minxhozi theksoi se nga ana e pozitës kishte një mungesë totale për t’u ulur dhe për të arsyetuar sidomos për një çështje kaq të rëndësishme për shqiptarët sa buxheti.

“Pamë një gjysmë salle të dalë jashtë kontrollit dhe ka lënë mënjanë çdo lloj filtri edhe kur diskutohen miliardat e shqiptarëve. Nëse në këtë moment kaq deciziv për të gjithë mbarëvajtjen ecurinë e jetës tonë ekonomike e sociale ne shohim këtë shkallë agresiviteti dhe mungesë vullneti për t’u ulur edhe arsyetuar, imagjinoni se si do të jetë pjesa tjetër. Në këtë gjendje nuk ndodhemi rastësisht. Ndodhemi në fundin e rrugës që opozita kishte planifikuar për të shkaktuar këtë kaos. Në mungesën totale të një reagimi popullor dhe të një fryme nga ana e votuesve të saj, kjo ka qenë një parti që lidhjen organike me votuesin e saj e ka kthyer në një markë. Të drejtat e opozitës i konsideroj të rëndësishme dhe mëse legjitime dhe që duhet të përmbushen brenda një kuadri rregullash. Por ka rrugë për t’i arritur ato. Qoftë edhe pjesërisht sepse politika është kompromis. Këtu kemi një sjellje shumë të ashpër që megjithëse e vendos në tryezë kërkesën për Komisionet Hetimore që i takon opozitës, nga ana tjetër kur kjo vihet përballë një ligji kaq të rëndësishëm si buxheti i shtetit, të njëjtët njerëz sot preferuan të vazhdojnë avazin e zakonshëm dhe të mos ulin aksionin e tyre vetmitar. Është një reagim i ashpër i një dyzinë burrash që po veprojnë në mesin e një diference kolektive totale të atij që quhet popull”, tha ndër të tjera Minxhozi.

/abcnews.al/