Një muaj më parë Mike Maignan deklaronte se nuk ishte ende momenti për të folur për rinovimin e kontratës, por tani diçka duket se ka ndryshuar, pasi mes agjentit të portierit numër një të kuqezinjve dhe klubit janë zhvilluar kontaktet e para.
Natyrisht janë të karakterit financiar, pasi ish-portieri i Lille, që po ndiqet me interes nga “gjigantët” gjermanë të Bayern Munich, ka kërkuar një pagë të rëndësishme, 8 milionë euro, e thënë ndryshe trefishi i pagës së tij aktuale, me francezin që merr aktualisht 2.8 milionë euro.
Maignan është një ndër portierët më të mirë në botë, e thonë faktet, edhe pse tifozët e Milan nuk kanë hequr nga mendja gabimet në ndeshjen e “San Siro”, në UEFA Champions League, ndaj Borussia Dortmund.
Drejtuesit e Milan kanë si synim ta mbajnë gjatë, edhe pse vështirë se mund ta përkufizojnë të paprekshëm, pasi para ofertave të veçanta, siç ndodhi me “shkatërruesin”, Sandro Tonali verën e kaluar, drejtuesit e Milan do të jenë të detyruar të ulen në tavolinën e negociatave.
Sigurisht që Milan ka vendosur një çmim të lartë, pasi nuk bëhet fjalë për të folur për shifra poshtë 100 milionë eurove, mesazh që i është dhënë edhe “Bluve” të Chelsea verën e kaluar, ndërsa verën e ardhshme në sulm për Maignan mund të hidhen dhe “Bavarezët” e Bayern Munich, që e ka francezin në listën e kandidatëve për të zëvendësuar Neuer.