Dhjetori i festiv tashmë ka mbërritur, ndërsa në sheshin Skënderbej janë duke u bërë përgatitjet e fundit. Edhe këtë vit sheshi do të jetë fshati i festave, ku qytetarët do të mund të kalojnë kohën e tyre dhe të argëtohen.
Kryeqyteti është përfshirë në festën plot ngjyra që do të zgjasë përgjatë gjithë muajit. Në shesh janë vendosur lodrat dhe shtëpizat prej druri, ku fëmijë dhe të rinj do të shijojnë festën.
“Jemi duke bërë të gjitha ato rregullimet e fundit. Dhjetori është një muaj me ngjyra.”
Atmosfera e ndërrimit të viteve nuk do të jetë e përqëndruar vetëm në qendër të Tiranës.
“Do të organizojmë disa aktivite. Do të ketë edhe për periferinë e Tiranës, sepse jo të gjithë kanë mundesi dhe hapësirë për të ardhur këtu. Ne do të shkojmë t’ju shërbejmë atyre, duke iu çuar dhurata, animatore, një ‘Christmas market’ lëvizese në 13 njësitë.”
Kjo periudhë konsiderohet edhe si mënyrë e mirë për të tërhequr vizitorë të huaj në kryeqytet.
“Ne si shqiptarë e kemi shumë të lidhur në kulturën tonë ndërrimjn e viteve, të huajt kanë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri e konsiderojnë si pushim për të eksploruar edhe linjat ajrore që janë hapur, çmimet ekonomike e bejne Tiranën atraktive. Jam e sigurt që do të kemi edhe këtë vit turistë të huaj”
Në sheshin Skënderbej në mbrëmjen e datës 24 do të mbahet koncerti i Krishtlindjeve, ndërsa më pas çdo mbrëmje deri në ndërrimin e viteve në 31 dhjetor do të ketë koncerte me artistë të ndryshëm.