Presidenti Bajram Begaj uroi Forcat e Armatosura të Shqipërisë për 111-vjetorin e themelimit.
Në një mesazh të posaçëm në profilin zyrtar në facebook, Presidenti Begaj shprehet se Forcat e Armatosura janë krenari kombëtare që kanë arritur me sukses të mbajnë lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë.
Presidenti vlerësoi angazhimin e tyre në një sërë misionesh dhe operacionesh për paqen dhe sigurinë në vend, rajon dhe në botë, si dhe përmbushjen e detyrave me dinjitet, përkushtim dhe profesionalizëm.
Kreu i shtetit në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u shpreh gjithashtu se angazhimi i ushtarakëve ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës mbetet i shenjtë dhe mbështetja e shoqërisë për Forcat e Armatosura do jetë e pakursyer.
“Në këtë ditëlindje të 111-të të tyre ne përulemi, nderojmë dhe jemi mirënjohës për shërbimin, kontributin dhe sakrificat e të gjithë efektivëve që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Forcat e Armatosura”, shkruan Presidenti Begaj në këtë përvjetor të themelimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë./abcnews.al