“Mjaft me telenovelën e anëtarësimeve”, Franca: Ende herët për vendet e Ballkanit

schedule22:50 - 15 Tetor, 2019

schedule 22:50 - 15 Tetor, 2019

Negociatat, Macron kundër Merkel: Mjaft me telenovelat e anëtarësimit

Presidenti Macron ka zgjedhur të dalë kundër kancelares Merkel sa i takon hapjes së negociatave. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, sërish në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare ka qenë Franca ajo që ka kundërshtuar nisjen e procesit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Presidenti francez Emanuel Macron ka zgjedhur një kurs që bie ndesh me atë të kancelares gjermane Angela Merkel lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së. Sërish të martën, në takimin e ministrave të Jashtëm të Unionit në Luksemburg që u mbyll pa një marrëveshje, ishte Franca që më shumë se të gjithë kundërshtoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Me të u bashkuan edhe Holanda e Danimarka, që kundërshtojnë ndërkohë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në takimin e zhvilluar, Franca injoroi tërësisht mbështetjen e pjesës dërrmuese të vendeve anëtare për dhënien e dritës jeshile për dy vendet e Ballkanit.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, ministrja franceze për Çështjet Europiane, Ameli de Montshalë deklaroi se në asnjë mënyrë nuk mund të lejohet hapja e negociatave përpara se BE të reformojë mënyrën e pranimit të kandidatëve të rinj.

Ajo theksoi se i duhet dhënë fund asaj që e quajti “telenovela e anëtarësimeve”. Ndërkohë, në Paris, një zyrtar i presidencës franceze konfirmoi se qeveria Makron nuk do të lejojë nisjen e procesit.

“Këto vende do të jenë pjesë e BE-së një ditë, por është ende shumë herët për të nisur procesin e zgjerimit me to”, deklaroi zyrtari.

Franca pretendon se BE-ja po përballet me shumë sfida për t’i lejuar vetes anëtarësimin e dy shteteve nga Ballkani, një rajon që vuan ende nga plagët e luftërave të viteve ’90 e që është i kapluar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Por qëndrimi i Francës ka ngritur shqetësime në radhët e BE-së, pasi në rast refuzimi vendet e Ballkanit mund të kultivojnë lidhje më të ngushta me Rusinë, Turqinë dhe Kinën.

/ABC News Albania