Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu është ndalur te paketa e re sociale “Shqipëria Solidare”. Ajo ka deklaruar në “Special Report” se 33% e buxhetit 2024 do t’i dedikohet shtresave në nevojë.
Koçiu ka theksuar se në fokus do të vijojnë të jenë familjet në nevojë, familjet në ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, ku fusim këtu edhe të verbërit.
“Siç e lançoi dhe kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, në buxhetin 2024 një pjesë shumë të rëndësishme zë mbrojtja sociale. Pikërisht 33% e buxhetit total të 2024 i dedikohet mbulimit të shtresave në nevojë. Flasim për një Shqipëri solidare dhe në vizionin e qeverisë nuk mbetet mbrapa dhe mbështetja për të gjithë grupet në nevojë. Sa i përket, ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në fokus do të vijojnë të jenë ashtu siç e thash dhe më përpara familjet në nevojë, familjet në ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, ku fusim këtu edhe të verbërit. Ndërkohë, do vijojnë të jenë dhe strukturat sociale që ofrojnë shërbime për kategoritë në nevojë. Ne sot kemi qendra rezidenciale që jo vetëm ofrojnë shërbime për kategoritë në nevojë, si për të moshuarit e vetmuar apo fëmijët pra prindër dhe ndërkohë vijon mbështetja për të gjitha ato struktura sociale, të cilat do të ofrojnë shërbime të integruara në komunitet, ku të gjitha targetgrupet në nevojë janë pjesë e shërbimeve që ofrohen nëpër këto qendra sociale”, tha ministrja./abcnews.al