Gjatë një fjalimi ditën e sotme, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nënvizoi rëndësinë e ndihmës së vazhdueshme për Ukrainën.
“Mjedisi strategjik rreth nesh ka ndryshuar rrënjësisht,” tha ajo. “Kjo krijon një lloj të ri përgjegjësie për Europën. Unë e quaj përgjegjësi strategjike. Është përgjegjësi, para së gjithash, të mbështesësh Ukrainën në këtë luftë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Kjo nuk do të jetë e lehtë por pikërisht në këtë momente angazhimi ynë duhet të jetë i fortë. Rusia tani po përforcon pozicionet e saj. Dhe kjo do të thotë se situata në fushën e betejës mbetet shumë e vështirë.
Por ky nuk është një argument kundër mbështetjes. Është një argument për më shumë mbështetje.
Të mos harrojmë: Aktualisht, Putin nuk kontrollon as të gjitha territoret që ka aneksuar tashmë. Ukraina e ka dëbuar Rusinë nga gjysma e territoreve të pushtuara pas shkurtit 2022.
Madje Ukraina e ka zmbrapsur flotën ruse në Detin e Zi dhe është në gjendje të dërgojë grurë përmes këtij korridori detar. Finlanda është bërë anëtare e NATO-s. Suedia së shpejti do të jetë. Ukraina është në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kremlini e ka privuar veten nga aksesi në ekonomitë perëndimore dhe sistemet e inovacionit dhe tani varet nga Kina.
Së bashku kemi arritur shumë. Dhe të gjitha këto janë argumente të mira për mbështetje të qëndrueshme ndaj Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, ne duhet të shikojmë edhe sigurinë e Ukrainës në afat të mesëm dhe afatgjatë.
Ukraina duhet të ketë aftësitë për të penguar sulmet e ardhshme nga Rusia. Kjo është arsyeja pse angazhimet e ardhshme të BE-së për sigurinë ndaj Ukrainës janë kaq jetike”, përfundoi Ursula.
/abcnews.al