Teksa po largoheshin nga një takim i tensionuar, kryeministri izraelit kapi për dorë zyrtarin e Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, duke e parë atë.
“Ne kemi nevojë për këtë marrëveshje,” i tha ai Brett McGurk, ndërsa bisedimet me Hamasin u bllokuan.
Një javë më vonë, Benjamin Netanyahu mori atë që donte. Politico citon skenat e mësipërme në artikullin e saj të gjerë që flet për maratonën diplomatike që çoi në marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit.
Të martën mbrëma, të dy palët njoftuan se kishin shtrënguar duart për marrëveshjen e shumëpritur nga të dyja palët.
“Në një armëpushim prej disa ditësh, katër ose pesë, Hamasi do të lirojë 50 gra dhe fëmijë që janë rrëmbyer me 7 tetor dhe Izraeli do të lirojë 150 të burgosur palestinezë, gra dhe adoleshentë.
Zhvillimi ishte rezultat i një lufte diplomatike që filloi menjëherë pas sulmeve më të këqija dhe tani më vdekjeprurëse në tokën izraelite, më 7 tetor, dhe dha frytet e saj të para pas gjashtë javësh armiqësi të ashpra në Rripin e Gazës.
Dy anëtarë të lartë të administratës amerikane folën për Politico në kushte anonimiteti për negociatat komplekse, të mundimshme dhe “torturuese” dhe mënyrën se si ato u kryen, raporton abcnews.al.
Roli i Katarit
Katari, një aleat i ngushtë i Uashingtonit që ka ndikim tek Hamasi, i dha Shtëpisë së Bardhë pak pas 7 tetorit informacione për pengjet, shtetasit izraelitë dhe të huaj, të cilët sapo ishin rrëmbyer dhe propozimin për të formuar një “bërthamë”, një grup të vogël pune, e cila do të merrej me çështjen e pengjeve.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan iu drejtua dy ndihmësve të tij kryesorë, McGurk dhe Josh Geltzer, të cilët do të merreshin me komunikimet e nevojshme për të arritur qëllimin.
Situata u bë e qartë më 13 tetor, gjatë një video-telefonate në Zoom midis presidentit të SHBA dhe familjeve të amerikanëve të zhdukur dhe pengjeve. Takimi i tyre zgjati më shumë se sa ishte planifikuar, pasi Biden dëgjoi me kujdes të gjithë të flisnin për njerëzit e tyre dhe të shprehnin frikën e tyre, raporton abcnews.al.
“Ishte një nga gjërat më mallëngjyese që kam përjetuar ndonjëherë”, tha një nga zyrtarët që foli për Politico.
Më pas, pengjet u bënë tema qendrore e kontakteve të shumta telefonike dhe personale të Biden me Netanyahun, me presidentin e SHBA-së që po ashtu i bëri presion Izraelit që të ofrojë ndihmë humanitare për ata që kanë nevojë dhe të sigurojë që siguria e civilëve është një prioritet i ushtrisë izraelite.
Këto kontakte të para dhanë rezultatin e parë optimist më 23 tetor, me lirimin nga Hamasi të dy grave amerikane, Natalie dhe Judith Raanan, nënë e bijë.
Ky zhvillim ishte prova e prekshme se “bërthama” që ishte krijuar ishte funksionale dhe mund të jepte rezultate edhe më të mëdha.
Një ditë më vonë, Hamasi i dërgoi një mesazh grupit përmes kanaleve të tij.
“Një numër grash dhe fëmijësh mund të largohen nga Gaza”, me kushtin, të konsideruar si “kurth” nga shumë njerëz, që të sigurohet transporti i tyre i sigurt nga Gaza, vetëm nëse Izraeli nuk do të kryente operacionin e tij (atëherë të paralajmëruar dhe të planifikuar) tokësor.
“Zyrtarët amerikanë së bashku me izraelitët vunë në pikëpyetje faktin nëse ofensiva tokësore duhet të vonohet për t’i dhënë një shans marrëveshjes,” tha një nga zyrtarët e dytë amerikanë.
Izraelitët arritën në përfundimin se kushtet nuk ishin mjaftueshëm të sigurta për të vonuar pushtimin tokësor. Nuk kishte ende asnjë tregues nga Hamasi nëse pengjet ishin gjallë,” shtoi ai.
Ushtria izraelite pushtoi Gazën në fund të tetorit. Por, siç vëren zyrtari amerikan, ” plani i pushtimit u përshtat në mënyrë që të ekzekutohej gradualisht dhe të mund të mbështeste një armëpushim në rast të arritjes së një marrëveshjeje “.
Proceset diplomatike vazhduan në prapaskenë me ritme të furishme, ndërkohë që konturet e një marrëveshjeje po merrnin formë.
Hamasi dha informacione për 50 robër të tij, duke i thënë Biden se lirimi i tyre mund të arrihej.
Më 14 nëntor, Biden zhvilloi një bisedë telefonike me udhëheqësin izraelit, i cili ra dakord.
Pak më vonë atë ditë, Netanyahu, duke i shtrënguar dorën McGurk, i shpjegoi atij se sa e rëndësishme është arritja e marrëveshjes për Izraelin por edhe për veten e tij, siç thonë analistët, pasi qytetarët, edhe pse mbështesin luftën kundër Hamasit, janë ende duke sulmuar Netanyahun për dështimin në mbrojtjen e civilëve duke nënvlerësuar kërcënimin e Hamasit.
Marrëveshja nuk ishte çështje morale. Ishte domosdoshmëri politike.
Megjithatë, vështirësitë dhe ngatërresat mbetën. Gjatë operacionit tokësor, Izraeli ndërpreu të gjitha komunikimet brenda Gazës, duke e bërë të vështirë, shpesh të pamundur, kontaktin me Hamasin, i cili madje kërcënoi të përfundonte negociatat pasi ushtria izraelite sulmoi spitalin Al Shifa.
Bisedimet rifilluan përfundimisht kur Izraeli siguroi Hamasin, përmes grupit të punës, se IDF do të lejonte që spitali të vazhdonte funksionimin.
Në atë pikë, Biden ndjeu se kufijtë e suksesit po ngushtoheshin. Më 17 nëntor, ai telefonoi emirin e Katarit, duke e informuar se McGurk do të ishte në Emirat të nesërmen dhe së bashku mund të shqyrtonin draftin përfundimtar të marrëveshjes në vazhdim, raporton abcnews.al.
Pak para mbërritjes së amerikanit në Katar, Doha mori disa komente nga Hamasi për marrëveshjen e propozuar. Al Thani dhe McGurk kontaktuan drejtorin e CIA-s, Bill Burns, i cili po drejtonte diplomacinë e tij rajonale si ndërlidhësi kryesor me Mossad-in, agjencinë e inteligjencës izraelite.
Siç vë në dukje zyrtari i dytë amerikan, “marrëveshja ishte strukturuar mbi supozimin se gratë dhe fëmijët do të liroheshin në fazën e parë, me pritshmërinë e lirimit të ardhshëm të të tjerëve dhe qëllimin përfundimtar për kthimin e të gjithë pengjeve në shtëpitë e tyre”.
Të nesërmen në mëngjes, ndërsa McGurk ishte në një takim me shefin e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, në Kajro, një këshilltar egjiptian u tha se udhëheqësit e Hamasit në Gaza kanë pranuar pothuajse gjithçka që ishte rënë dakord në Doha më pare.
Më 19 nëntor McGurk u kthye në Izrael me draftin në dorë për të informuar kabinetin e luftës. Në të njëjtën ditë, zyrtarët izraelitë informuan Uashingtonin se edhe ata e pranuan draftin me disa ndryshime të vogla, raporton abcnews.al.
Katari ia dërgoi Hamasit draftin e përditësuar. “Është oferta përfundimtare,” u tha udhëheqësi i Katarit bashkëbiseduesve të tij palestinezë, sipas dy zyrtarëve amerikanë.
Në dy 24 orët e ardhshme, ndonëse me pengesa, tashmë ishte e qartë se të gjitha palët pranuan kushtet e marrëveshjes. Më 21 nëntor Hamasi dha “dritën jeshile”. Gjithçka që kishte mbetur ishte miratimi nga qeveria e Izraelit.
Nënshkrimet u njoftuan më vonë, më 21 nëntor, në Uashington. Kishte mbaruar. Ishte një “proces torturues pesë-javor”, përshkroi zyrtari i parë i lartë i qeverisë.
/abcnews.al