Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë përshëndetur opinionin final të Komisionit të Venecias në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Meta në anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në një deklaratë të përbashkët, opozita e bashkuar thekson se Presidenti nuk ka shkelur kushtetutën ndërkohë që qëllimi i vetëm i mazhorancës dhe kryeministrit Rama në iniciativën për shkarkimin e tij ishte vënia nën kontroll e institucionit të Presidencës.
Mbështetjen e tyre për vendimin e Ilir Metës për shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit opozita e dha e para nga sheshi i protestës në 8 Qershor. Kur Komisioni i Venecias publikoi edhe dokumentin final të saj,opozita e bashkuar doli me një qëndrim zyrtar në mbështetje të kreut të shtetit, duke kujtuar se ajo vendimmarrje shmangu përplasje dhe gjakderdhje.
“Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën. Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend”.
Sipas opozitarëve edhe në këtë rast qëllimi i Edi Ramës ishte i njëjtë, vënia nën kontroll e institucionit të Presidencës.
“Votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Opinioni konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja e të gjitha pushteteve, rrënimi i shtetit ligjor dhe parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit qeveritar”.
Për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit ka tashmë një mision të dështuar dhe antikushtetues./ABC News Albania