Elseid Hysaj po qëndron pushim dhe pret rikuperimin e tij. Dëmtimi në ndeshjen kundër Torinos ishte i rrezikshëm, por për fat shpëtoi mirë. Me rikthimin e tij në fushë pritet të ndodhë edhe ndryshimi i ekipit.
Agjenti i tij është shprehur se po punon për t’i gjetur një destinacion të ri në janar. Mbrojtësi shkodran numëron vetëm 54 minuta aktivizim në kampionat këtë sezon me Napolin, minutazh i pakët dhe aspak i mjaftueshëm.
Carlo Ancelotti nuk e sheh më si titullar dhe dimri mund ta transferojë në kryeqytet. Roma mbetet ekipi më afër lojtarit të kombëtares kuqezi. Dëmtimi i Zappacostës detyron verdhekuqtë të ndërhyjnë në merkato për një mbrojtës krahu dhe Hysaj mbetet i preferuari.
Sportmediaset raporton se Gianluca Petrachi, drejtori sportiv i Romës, është gati të nisë negociatat me klubin e Napolit dhe shpreson të gjejë akordin për transferimin e shqiptarit nën urdhrat e trajnerit Fonseca. /abcnews.al