Kualifikueset Euro 2024/ Spanja e Portugalia zbresin në fushë, Sllovakia kërkon kualifikimin përballë Islandës

schedule09:56 - 16 Nëntor, 2023

schedule 09:56 - 16 Nëntor, 2023

Pas pothuajse 1 muaj pritje, këtë të enjte do të rikthehen përballjet e fazës kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, që do të zhvillohet mes 14 qershorit e 14 korrikut, në Gjermani, me eleminatoret, që kanë hyrë në fazën e tyre të parafundit, ku do të mësohen përfundimisht plot 20 përfaqësueset e para që do të marrin pjesë në fazën finale të turneut.

Përsa i përket ditës së sotme gjithçka do të nisë në orën 18:00, ku do të zhvillohen në total, plot 5 përballje. Kështu, në grupin A, “La Furia Roja” spanjolle do të udhëtojë drejt Qipros, ku do të përballet me vendasit në “Alphamega Stadium”, në një përballje ku do të kërkojë të thellë diferencën me vendin e 2-të të grupit Skocinë, me këta të fundit që do të luajnë gjithashtu në transfertë, ku në “Boris Paichadze Dinamo Arena” të Tbilisit i presin Kvaratskhelia me shokë, me përfaqësuesen e Gjeorgjisë, që do të kërkojë me ngulm vendin e 3-të në grup, për të siguruar një vend të fazën “play off” të kualifikueseve.

Më tej, në grupin F, Austria, tashmë e kualifikuar do të luajë transfertën ndaj Estonisë, ku pavarësisht se gjithçka ka marrë fund përsa i përket “biletës” së fazës finale do të kërkojnë fitoren e radhës, për të “ëndërruar” kualifikim, si e “koka e grupit”, teksa diferenca mes tyre dhe Belgjikës është momentalisht në vetëm 1 pikë. Në krahun tjetër, Azerbajxhani i teknikut Gianni de Biasi do të presë në “Tofiq Bahramov Stadium” të Bakusë, Suedinë, me këta të fundit, që kërkojnë ta mbyllin me nder këtë fazë kualifikuese.

Në grupin G, Hungaria do të kërkojë fitoren e radhës për t’u kualifikuar, si e para e grupit në fazën përfundimtare të turneut, teksa do të kenë përballë në transfertën e “National Stadium Vasil Levski”, vendasit e Bullgarisë, një përballje në dukje tepër e lehtë për hungarezët, të cilët kanë në organikën e tyre lojtarë si Roland Sallai e Dominik Szoboszlai, ndërsa në përballjen tjetër të këtij grupi, Mali i Zi do të presë në Podgoricë skuadrën e Lituanisë, në një përballje pa rëndësi, përsa i përket kualifikimit, me të dyja skuadrat tashmë të “eleminuara”.

Ndërkaq, në përballjet e fundit të mbrëmjes, “luzitanët” e Portugalisë do të udhëtojnë drejt Vaduzit, ku në “Rheinpark Stadion” do të priten nga vendasit e Lihtenshtejn, sfidë në të cilën portugezët pritet të përgatiten më mirë për fazën finale të turnet. Luksemburgu do të presë në “Stade de Luxembourg”, përfaqësuesen e Bosnje Hercegovinës, ku fitorja është obligim për të mbajtur gjallë shpresat e një kualifikimi historik drejt fazës së grupeve të këtij kompeticioni, ndërsa në “Tehelne Pole” të Bratislavës, vendasit e Sllovakisë do të kërkojnë 3 pikët përballë Islandës, për të “vulosur” përfundimisht kualifikimin në fazën e grupeve të Euro 2024. /i.m /abcnews.al