Sipas të dhënave zyrtare nga janari deri në shtator të këtij viti janë shënuar 863 aksidente rrugore. Përgjatë këtyre muajve 139 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 1 mije kanë mbetur të plagosur.
Të dhenat flasin për drejtuesit e mjeteve si shkaktarë aksidentesh, të cilet kanë qenë fajtorë në rreth 90% të rasteve. Megjithatë shkak i aksidenteve në rrugë bëhen shpesh edhe sjelljet e gabuara të këmbësorevë.
Çdo vit në të gjithë botën në 15 nëntor kujtohen viktimat e aksidenteve rrugore, me qëllim rritjen e ndërgjegjesimit për të qenë të kujdesshëm në rrugë. Megjithëse në ulje, bilanci i viktimave në Shqipëri, mbetet sërish si një bilanc lufte.
Efektivja e policisë rrugore Anxhelina Bregu është çdo ditë me shërbim në rrugët e kryeqytetit. Ajo tregon se cilat janë shkeljet që bëjnë kryesisht drejtuesit e mjeteve.
Gjatë përditshëmërisë hasim shkelje të ndryshme, por shkeljet që çojnë në aksidente fatale janë shpejtësia, përdorimi i aparatit celular, përdorimi i alkoolit dhe drogës. Kemi pasur plot raste të konstatuara. Kemi një rritje të sigurisë rrugore, por edhe shtim të përdoruesve të mjeteve.
Sipas efektives operimi nga ana e policisë me makinën inteligjente, e cila regjistron në mënyrë automatike shkeljen ka ndikuar në ndryshimin e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Policia rrugore ka edhe mjetin inteligjent në përdorim që na ka ardhur tej mase në ndihmë. Shpesh drejtuesit e mjeteve ulin shpejtësinë kur shohin patrullën, ndërsa me mjetin inteligjent nuk e di që është i monitoruar. Këto kemi pasur një reflektim. Ka shumë rëndësi ndërgjegjësimi, ne kemi bërë fushata sensibilizuese.