18 persona të vdekur dhe 13 rezultojnë të zhdukur si pasojë e tajfunit “Hagibis” që goditi Japoninë duke paralizuar Tokion. Agjensia e lajmeve “Reuters” njofton se janë anuluar mbi 800 fluturimet dhe janë ndaluar udhëtimet me trena në zonat e prekura. Gjysmë milionë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa mijëra trupa po punojnë për të shpëtuar banorët e bllokuar.
Miliona vetë në Japoni janë këshilluar të lënë shtëpitë e tyre me afrimin e tajfunit të fuqishëm Hagibis.
Tajfuni është parashikuar të godasë pjesën qendrore dhe lindore të vendit me erëra që pritet të arrijnë deri në 225 kilometra në orë, njoftoi Agjencia japoneze për Meteorologji. Sipas ekspertëve, është jashtëzakonisht e lartë mundësia e katastrofave nga rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet, ndaj banorët janë këshilluar të marrin masa për të shpëtuar veten.
Hagibis thuhet të jetë është stuhia e parë “shumë e fuqishme” që pritet të godasë ishullin Honshu, që prej vitit 1991. Kompanitë e mëdha japoneze për prodhimin e makinave, si Toyota dhe Honda, nuk i kanë hapur fabrikat e tyre dhe shumë dyqane të tjera ushqimore në Tokjo po ashtu janë mbyllur, për shkak të stuhisë. /abcnews.al