Princi i Kurorës i Arabisë Saudite dënon sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës

schedule22:54 - 10 Nëntor, 2023

schedule 22:54 - 10 Nëntor, 2023

Princi i Kurorës i Arabisë Saudite dhe lideri de fakto i mbretërisë, Mohammed bin Salman, dënoi sot sulmet e Forcave të Armatosura izraelite (IDF) në Rripin e Gazës.

“Ne dënojmë sulmin ushtarak në Rripin e Gazës, shënjestrimin e civilëve dhe shkeljet e vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar nga forcat okupuese izraelite”, thotë Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, në deklaratën e tij të parë publike mbi luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Ai foli në fillim të një samiti me liderët afrikanë në Riad dhe përpara takimit urgjent të nesërm të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik për zhvillimet në Gaza.

“Ne theksojmë nevojën për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe shpërngulje të detyruar, për të krijuar kushtet e nevojshme për rivendosjen e stabilitetit dhe konsolidimin e paqes”, theksoi Princi i Kurorës saudit.

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit, e cila shpërtheu më 7 tetor pas sulmit të paprecedentë të grupit islamik palestinez në tokën izraelite, ka ngjallur shqetësim ndërkombëtar mbi rrezikun e përhapjes në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme. Në të njëjtën kohë, u ngrinë konsultimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, të cilat Princi Mohammed bin Salman e kishte vlerësuar në shtator si “afrim”.

Nga ana e tij, presidenti i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, dënoi sot dhunën e pësuar nga palestinezët. “Ne po bëjmë thirrje për masa efektive dhe praktike për të ndaluar shkatërrimin e Gazës dhe masakrën e mijëra banorëve të saj, në mënyrë që t’i japim një shtysë të fortë gjetjes së një zgjidhjeje politike në bazë të dy shteteve”, tha ai.

Në komunikatën përfundimtare të samitit, e cila përfundoi sot në Riad, pjesëmarrësit shprehën “shqetësim të thellë” për krizën humanitare në Rripin e Gazës, bënë thirrje për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake dhe i kërkuan komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion ndaj qeverisë Netanyahu për të ndalojë sulmet izraelite dhe zhvendosjen e detyruar të palestinezëve.

Princi i kurorës i Arabisë Saudite njoftoi gjithashtu se Riadi do të investojë 25 miliardë dollarë në Afrikë deri në vitin 2030, gati dyfishi i fondeve që ka investuar në kontinentin afrikan gjatë dekadës së fundit.