Projekti i Aeroportit të Sarandës/ Balluku në “Sheshi i Dollarit”: Do të rihapet gara me disa ndryshime teknike

schedule20:37 - 10 Nëntor, 2023

schedule 20:37 - 10 Nëntor, 2023

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News foli për projektet infrastrukturore, ndërsa përmendi edhe aeroportin e Sarandës.

Ajo tha se do të rihapet gara, ku parashikohen edhe disa ndryshime teknike pasi kanë të bëjnë korridoret e ulje ngritjes.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Projekt me rëndësi është edhe aeroporti i Sarandës, do të jetë një aeroport sezonal, për të nxitur zhvillimin e turizmit. Do të kemi një rihapje të garës?

Belinda Balluku: Ajo çka duhet thënë dhe që Sarandës I intereson më shumë, në buxhetin e vitit të ardhshëm ka një ndërhyrje të thellë në infrastrukturën e Sarandës dhe të Ksamilit. Ndërtimi I disa parkingjeve në Sarandë dhe krijimi I një unaze, ose I një bypass për të nxjerrë trafikun jashtë Ksamilit dhe për ta akomoduar atë në rrethina së bashku me parkingje që do ndërtohen edhe në zonën e Ksamilit, Ndërhyrja e parë që do të ndodhë, për jugun është infrastrukturore dhe energjetike. Po forcojmë të gjitha rrjetet e shpërndarjes në atë zonë, pasi tashmë e kemi një parashikim të numrit të turistëve që zona do të presë edhe në 2024. Sa i përket aeroportit, patjetër që do të rihapet gara, ka ndoshta edhe disa ndryshime teknike, pasi kanë të bëjnë koridoret e ulje ngritjes. Saranda është shumë afër me Korfuzin, jemi në koordinim me Eurokontrollin për të parë të gjitha mundësitë e lokacionit për ndërtimin e këtij aeroporti, por Saranda është kaq mirë e ndërlidhur edhe me zonat përreth pra me Delvinën, me Gjirokastrën kështu që ne e kemi fushën e veprimit pak më të gjerë”, tha ajo.