Strukturat vendore të arsimit parauniversitar kanë publikuar Kartën e Performancës për vitin 2022-2023, duke bërë edhe renditjen finale nga shkolla që vlerësohet si më e mira, e deri tek ajo që ka raportuar nivelin më të ulët.
“Petro Nini Luarasi është shpalllur gjimnazi më i mirë në Tiranë. Zyra vendore arsimore në kryeqytet e ka renditur këtë shkollë në krye të listës së gjimnazeve të tjera sa i takon performancës dhe cilësisë së mësimdhënies. Petro Nini Luarasi rimerr kështu vendin e parë, pasi e ka zotëruar atë për herë të fundit në vitin 2019.”
Sipas rezultateve, “Petro Nini Luarasi” ndiqet në vend të dytë nga gjimnazi “Qemal Stafa”, pozicion që e mbante edhe vitin e kaluar. Ndërkohë, gjimnazi “Sami Frashëri” që mbante vendin e parë ka rënë në vendin e tretë.
Në shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit, në krye si më e mira është “Misto Mame”, duke zbritur në vend të dytë shkollën “Fan Noli” që kryesonte më herët listën. Ndërsa në vendin e tretë renditet “Vasil Shanto”.
Sipas rankimit të bërë, të fundit në renditje janë shkollat në zonat rurale, shkolla e mesme Shëngjergjit dhe “Ymer Lala” në Surrel.
Zyra vendore arsimore ka përfshirë 15 tregues për finalizimin e renditjes. Mes tyre kualifikimi i mësuesve, përqindja e nxënësve të larguar nga shkolla, kundrejt nxënësve të regjistruar në fillim të vitit, përqindja e orëve të munguara nga nxënësit, përqindja e nxënësve kalues në Maturën Shtetërore, nota mesatare e shkollës në provimet kombëtare të Maturës Shtetërore dhe ato të lirimit, sondazhi i prindërve etje.
Rankimi kryhet çdo vit pas përfundimit të provimeve kombëtare. Qëllimi është që të shërbejë për drejtuesit e shkollave për kryerjen e një analize të thellë me qëllim përmirësin e treguesve, për të sjellë kështu një arsim më cilësor./abcnews.al