Përkrah trajnerit Ilir Daja në konferencën për shtypin përpara takimit të Conference League kundër Astanës, u shfaq edhe Arbër Potoku.
Mbrojtësi 29-vjeçar analizoi takimin e parë të humbur në Prishtinë, teksa theksoi se Ballkani është në garë për kualifikimin.
“Sigurisht që është një ndeshje mjaft e rëndësishme. Të tria rezultatet janë të pranishme. Në Kosovë ne dominuam ndeshjen, patëm mjaft shumë raste, por fati nuk ishte në anën tonë.
Jemi përgatitur mjaft mirë, do të vazhdojmë të përgatitemi dhe të përshtatemi me kohën dhe klimën këtu. Që edhe nesër të paraqitemi sa më mirë. Shpresojmë të kthehemi në Kosovë me kokën lart dhe me një rezultat pozitiv.
Pritshmëritë ishin më të mëdha në ndeshjen e parë, edhe pse dihet që Astana është një klub me traditë, që merr pjesë vazhdimisht në kompeticionet europiane.
Por fati nuk ishte në anën tonë, dhe nuk ishte dita jonë. Astana fitoi me dy goditje, por ky është futbolli.
Sigurisht që objektivi ynë nuk ka qenë të kalojmë grupin, mirëpo nga ndeshjet që kemi zhvilluar dhe rezultati që patëm ndaj Dinamos së Zagrebit, prishmëritë janë rritur.
Dhe sigurisht që pritet më shumë, sepse e kemi rritur vetë objektivin. Jemi tri ekipe me nga tri pikë.
Besoj se kemi shanse të kalojmë grupin dhe të bëjmë maksimumin të arrijmë ktë objektiv. Që do të ishte një objektiv madhor”,- u shpreh Potoku.