VIDEO/ “Bavarezët” kalojnë grupin, Rashford “lë në baltë” shokët në transfertën e Copenhagen

schedule23:33 - 8 Nëntor, 2023

schedule 23:33 - 8 Nëntor, 2023

Kanë përfunduar sfidat e mbrëmjes dhe të fundit të raundit të 4-t të fazës së grupeve të UEFA Champions League, ku në grupin A ka patur jo pak surpriza, me “Djajtë e Kuq” të Manchester United, që kanë pësuar një humbje shokuese në transfertën e Copenhagen.

Kështu, në “Parken Stadium”, vendasit e Copenhagen kanë përmbysur gjithçka duke mundur “gjigantët” anglezë të Manchester United, me ndihmën e njërit prej lojtarëve të këtyre të fundit. Golat e Elyounoussi, Diogo Gonçalves, Lerager e Bardghji, në minutat 45’, 45+9’, 83’ e 87’ nxorrën totalisht të pavlefshme dopietën e Hojlund e golin e Bruno Fernandes, golat këto të shënuar në minutat 3’, 28’ e 69’. Mirëpo, fajin për këtë humbje mund të thuhet me plot gojë se e ka “fantazisti” i sulmit, Marcus Rashford, i cili pas një ndërhyrje tepër të ashpër e të panevojshme, në minutën e 42’-të të sfidës lë fushën e lojës, pas ndëshkimit me kartonin e kuq, duke i prishur jo pak punë skuadrës së tij.

Në krahun tjetër, në “Allianz Arena”, “bavarezët” e Bayern Munich kanë vijuar serinë e fitoreve, në fazën e grupeve të UEFA Champions League, teksa mbrëmjen e kësaj të mërkure mposhtë skuadrën e Galatasaray, me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, pas dopietës së Harry Kane, në minutat 80’ e 86’ të sfidës, ndërsa më miqtë golin e “nderit” e shënoi kongolezi, Cedric Bakambu, në minutën e 90+3’ të sfidës.

Pas këtyre rezultatave, “bavarezët” e Bayern Munich shkojnë në kuotën e 12 pikëve dhe sigurojnë avancimin për në fazën tjetër, si krerët e grupit. Mirëpo, në rast se për Bayern gjithçka është mbyllur nuk mund të thuhet e njëjta gjë për skuadrat e tjera, pasi në vendin e dytë ndodhen danezët e Copenhagen, me 4 pikë, po më kaq pikë janë edhe “luanët” e Galatasaray, të cilët ndodhen në vendin e 3-të të grupit, ndërsa në vendin e fundit ndodhen “Djajtë e Kuq” të Manchester United, me vetëm 3 pikë dhe mund të thuhet me plot gojë se gjithçka është e hapur për këto 3 skuadra.  /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT:

Bayern Munich 2 – 1 Galatasaray

Copenhagen 4 – 3 Manchester United