Vllaznia, Osmani flet me bindje: I mundim “demat”

schedule11:19 - 6 Nëntor, 2023

schedule 11:19 - 6 Nëntor, 2023

Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, në daljen e tij para mediave në prag të takimit me Partizanin, është shprehur i bindur se Vllaznia e tij do të kërkoj më të mirën në përballje me kampionët e vendit. Tekniku kërkon që të bëjë ndryshimet e duhura në mënyrë që të arrihet më e mira ndaj të kuqve. Ai thekson se ndaj Partizanit nuk do të shkojë për t’u mbrojtur, por të punojë deri në momentet e fundit për të arritur maksimumin.

Ndeshja e dytë në pankinën e Vllaznisë, çfarë do të ndryshoni?

Do të mundohemi të ndryshojmë diçka, sepse edhe ndeshjen e fundit ne kishim disa mungesa. Gjatë këtyre tri ditëve kemi punuar në atë drejtim, për t’i eliminuar ato gabime që patëm ndaj Erzenit. Unë mendoj se atmosfera në ekip është kthyer dhe jemi të gatshëm për këtë ndeshje, ndonëse bëhet fjalë për një përballje me skuadrën kampione të vendit. Do të kërkojmë të zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe të presim një rezultat pozitiv.

Thatë që ju është kthyer besimi. Mendoni se i ka munguar skuadrës gjatë kësaj periudhe?

Ndoshta nuk është shprehja e duhur për të thënë që skuadrës i kishte munguar besimi, por mendoj se futbollistët nuk kanë pasur vetëbesimin e duhur si individë dhe kjo shkakton probleme te loja në tërësi.

A keni ndonjë ide të veçantë pas ndeshjes së parë për skuadrën tuaj?

Po, nisur që nga ndeshja e nesërme(sotme) do të bëjmë ndryshim në sistemin e lojës, por edhe në disa lojtarë që mendoj se mund të japin më shumë se të tjerët në takimin e radhës.

Si është ana psikologjike e skuadrës?

Jam munduar të punoj në këtë drejtim në mënyrë kolektive dhe individuale. Ata janë të vetëdijshëm për situatën aktuale dhe po mundohen ta kalojnë atë.

Për momentin Vllaznia gjendet shumë pranë zonës së ftohtë, si e shikoni vazhdimësinë?

Kampionati është shumë interesant. Ekipi që ndodhet në fund është shumë afër vendit të katërt. Prandaj gjithçka është shumë pranë.

Sa do të ndikojnë mungesat në këtë ndeshje ndaj kampionëve?

Përveç lojtarëve të mëparshëm, janë edhe Mala me Salën me shqetësime, por edhe këta të dy do të jenë të gatshëm. Kështu shpresoj.

Partizani ka bërë shumë mirë këto ndeshjet e fundit, duhet të bëjë kujdes Vllaznia ndaj këtij kundërshtari?

Partizani i ka fituar pesë ndeshjet e fundit dhe ka vetëbesim, por edhe ne kemi kualitetet tona për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe për të kërkuar një rezultat pozitiv.

Si jeni përgatitur për fundin? Partizani është treguar shumë i rrezikshëm në minutat finale…

Do Zoti shënojmë dhe fitojmë edhe ne në minutat shtesë. Ne duhet që të jemi të koncentruar deri në vërshëllimën e fundit.

Do të quhej i pranueshëm një barazim me Partizanin?

Ne do të shkojmë për fitore dhe dëshirojmë këtë rezultat, pavarësisht se luajmë ndaj Partizanit.

Do të orientoheni në lojën mbrojtëse apo do të kërkoni të merrni pjesën më të madhe të terrenit të fushës?

Vllaznia nuk shkon për të luajtur ndaj Partizanit dhe në mbrojtje, por do të bëjë një futboll sulmues dhe për të kërkuar fitoren. Nga sa kam parë këto ditë, Vllaznia është një ekip që dëshiron të sulmojë. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes ndaj Partizanit, por jo për të zhvilluar ndonjë lojë mbrojtëse, sepse mendoj që edhe filozofia e klubit kjo është. Ne dëshirojmë fitore ndaj Partizanit, pavarësisht se luajmë ndaj një skuadre shumë të mirë. Ne do të luajmë për të shënuar një gol më shumë se kundërshtari.

Do të ketë ndryshime në skemë, emra dhe vendosje?

Po, disa ndryshime do të jenë në skemë dhe formacion.

Ka ndryshuar qasja e skuadrës në këto ditë të fundit?

Po, shikoj një optimizëm dhe ndoshta një frymë ndryshe. Lojtarët janë të vetëdijshëm për situatën që jemi.

Sa garanci jepni për të ardhmen e kësaj skuadre?

Unë jap një garanci, që Vllaznia do të jetë një ekip, i cili do të shënojë sa më shumë dhe do të jetë në vendet e para të renditjes./ h.ll/abcnews.al