Milan Skriniar do të rikthehet në “San Siro”, stadium ku ka shijuar suksese të shumta me fanellën e Interit, këtë herë për të sfiduar kuqezinjtë e Milanit në sfidën e vlefshme për Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësi sllovak i Paris Saint Germain pranoi se mezi e pret rikthimin në stadiumin mitik, teksa paralajmëroi shokët e skuadrës se nuk do të jetë aspak e lehtë të luhet aty.
“Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, duke qenë se kam luajtur për 6 sezone në ‘San Siro’. Një stadium shumë i bukur, por shumë i vështirë për t’u përballuar si kundërshtar. Duhet të përgatitemi mirë për këtë takim, edhe pse e dimë se do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo e Parisit. Nëse luajmë siç dimë, mund të largohemi me tre pikët nga kjo transfertë”,- u shpreh ish-kapiteni i Inter.