Me “fantazistin” francez të mesfushës Paul Pogba, në rrezik pezullimi pasi rezultoi pozitiv në testin anti-doping dhe talentit Nicola Fagioli të pezulluar pas vënies së basteve të ndaluar sportive, “bardhezinjtë” e Juventus çalojnë jo pak në repartin e mesfushës.
Për këtë arsye bordi i “Zonjës së Vjetër” dhe në veçanti tekniku Massimiliano Allegri po kërkojnë me ngulm, të afrojnë një mesfushor të ri, në hapësirën e transferimeve të merkatos së dimrit dhe mesa duket “gjigantët” italianë e kanë një lojtar në “objektiv”.
Bëhet fjalë për “shkatërruesin” e mesfushës së Manchester City, Kalvin Philipps, i cili prej kohësh nuk është në planet e teknikut Pep Guardiola, edhe pse u transferua vetëm verën e kaluar nga skuadra e Leeds United.
Mesfushori 27-vjeçar nuk po merr minutat e pretenduara te “qytetarët” dhe për të dytin sezon radhazi konsiderohet si një lojtar rezervë, por, me Kampionatin Evropian përpara, Phillips kërkon të mos rrezikojë pasi minutat i duhen që të mos humbasë rolin e protagonistit në kombëtaren e Anglisë, ndaj, Juventus duket zgjidhja perfekte për të ardhmen e kampionit të Evropës. /i.m /abcnews.al