Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se 100 qytetarë amerikanë dhe familjarët e tyre u larguan nga Gaza të enjten, duke shtuar se një grup tjetër i madh amerikanësh pritet të largohet.
Duke folur me gazetarët ndërsa Joe Biden ishte në aeroplanin presidencial që shkonte për në Maine, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre tha se negociatat intensive janë duke u zhvilluar për të larguar shtetasit e huaj nga Gaza.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Jashtme franceze njoftoi se 34 shtetas francezë të shoqëruar nga familjarët e tyre u larguan sot nga Rripi i Gazës, përmes pikës së kalimit Rafah.
“Sot ne mundëm të kthejmë 34 francezë me familjet e tyre, të cilët mundën të kalonin”, tha ministri për mediat franceze nga Abuja, kryeqyteti nigerian. “Nëse numëroj francezët, punonjësit tanë të Institutit Arsimor dhe familjet e tyre, janë rreth 170 persona, vetëm një pjesë kanë mundur të kalojnë”, sqaroi ai.