Shefi i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Këtë e ka konfirmuar vetë Vulin nëpërmjet një komunikate.
“SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë, unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, thuhet në njoftim.
Mw 11 korrik, Vulin ishte futur në listën e sanksioneve amerikane.
Sipas Thesarit, Vulin ishte përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas njoftimit, ai po ashtu ishte përfshirë në krim të organizuar transatlantik, në operacionet joligjore narkotike dhe në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kush është Aleksandar Vulin?
Aleksandar Vulin, ish-bashkëpunëtor i Mirjana Markoviçit, gruas së Slobodan Milosheviçit, është sot partner koalicioni i Partisë Progresive Serbe në pushtet.
Pas shumë vitesh përvojë ministrore në Qeverinë e Serbisë, në dhjetor të vitit 2022 u emërua shef i shërbimit të sigurisë kombëtare – Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA).
Më 10 maj, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, ku shpreh shqetësimin për emërimin e Vullin në krye të BIA-s, i cili në tekstin e rezolutës përshkruhet si një person “i njohur për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”.
Vullin është i njohur për publikun e gjerë, për retorikën e tij të ashpër ndaj fqinjëve të tij në rajon dhe miqësinë e tij ndaj Rusisë.
Në një nga kritikat e fundit kundër tij, ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, si dhe BE-ja, kritikuan pjesëmarrjen e Vulinit në konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, në maj të këtij viti./rel