Nëse në Europë vazhdon të koleksionojë “Topat e Artë”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lionel Messi duket se nuk ka bindur sa duhet.
Sulmuesi argjentinas, që vetëm pak ditë më parë mori për herë të tetë në karrierën e tij trofeun më të rëndësishëm individual të futbollit botëror, ka dështuar në garën për “Debutuesin më Mirë”, trofe ky që jepet në kampionatin amerikan. Ky çmim u fitua nga sulmuesi grek i Atlantës, Jorgos Xhakomakis, që realizoi 17 gola në sezonin e tij të parë në MLS.
Messi u transferua te Inter Miami në muajin korrik, ndërsa nisi aventurën e tij amerikane në mënyrën më të mirë duke fituar Kupën e Ligave, por dështoi të ndihmojë skuadrën e tij në kampionat.
Inter Miami nuk arriti të sigurojë një vend në paly-off për titullin kampion. Kjo sa i përket pjesës sportive, pasi në atë të marketingut, askush nuk mund t’ia heqë meritat argjentinasit.
Pas transferimit të tij, MLS ka fituar më shumë shikueshmëri ndërkombëtare dhe po ashtu në shitjen e biletave dhe reklamave./ h.ll/abcnews.al