“Mali i Zi ndodhet mes dy rrugëve”, Nika: Të zgjedhë orientimin nga Perëndimi ose destabilizimin

schedule18:30 - 1 Nëntor, 2023

schedule 18:30 - 1 Nëntor, 2023

Kryetari i Këshillit të Shqiptarëve të Malit të Zi, Faik Nika ka folur në “Special Report”, për zgjedhjen e qeverisjes së re të Malit të Zi. Ai ka theksuar se shqiptarët në Malin e Zi po përshtaten me forcat pro serbe.

“Sigurisht pas zgjedhjeve të vitit 2020, skena politike në Malin e Zi nuk është më e njëjta. Ka rrjedha të reja politike dhe është vështirë të shpresojmë se do të kthehet ajo ç’ka ishte para vitit 2020, pas zgjedhjeve të fundit të qershorit të këtij viti. Sigurisht, fituan ato parti, të cilat jo më gjatë se dje formuan qeverinë dhe sigurisht në këtë situatë të thellë politike shqiptarët në Malin e Zi duhet të provojnë të përshtaten, pasi nuk jemi faktorë vendimtar. Pesha e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi kësaj radhe nuk është vendimtare për formimin e qeverisë dhe sigurisht në rrethana në tilla shqiptarët në Malin e Zi dhe subjektet politike duhet të gjejnë mënyrën se si duhet të veprojnë, sigurisht duke pasur në plan të parë interesat kombëtar të shqiptarëve”.

Më tej, Nika ka thënë se Mali i Zi ndodhet mes dy rrugëve, të zgjedhë orientimin nga Perëndimi ose destabilizimin.

“Mali i Zi ka dy rrugë. Është rruga drejt integrimit të përshpejtuar dhe të shpejtë në familjen e BE, ose rruga drejt destabilizimit të Malit të Zi. Një rrugë pa krye që do ta destabilizojë jo vetëm skenën politike në Malin e Zi, por dhe orientimin e Malit të Zi për dekadat që do të vijnë. Kështu që në qoftë se Mali i Zi dhe BE gjejnë gjuhën e përbashkët për një integrim të shpejtë, ky do të ishte një shpëtim për Malin e Zi”./abcnews.al