Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se inflacioni në vend është në rënie progresive, edhe në tremujorin e tretë, duke shkuar në një nivel mesatar prej 4.1%.
Në një konferencë për mediat, Sejko u shpreh se rënia e inflacionit gjatë vitit 2023 është diktuar në masën më të madhe nga rënia e inflacionit të importuar.
Ndër të tjera, Sejko nënvizoi se eknomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi, ku në tremujorin e dytë, pati një rritje me 3.2%.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, duke vijuar trendin rënës të ndjekur gjatë dy tremujorëve paraardhës. Reduktimi i inflacionit gjatë këtij tremujori pasqyroi – më së shumti – rënien e inflacionit të ushqimeve. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm, ndërkohë që tensionet e shtuara gjeopolitike kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës.
Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë vitit 2023 është diktuar në masën më të madhe nga rënia e inflacionit të importuar. Ky trend ka pasqyruar stabilizimin e përgjithshëm të çmimeve të produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare, rënien e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, si dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut gjatë dy viteve të fundit. Paralelisht me të, edhe presionet e brendshme inflacioniste kanë ardhur në rënie, por ato vijojnë të mbeten relativisht të larta dhe të qëndrueshme. Në këto rrethana, ritmi i rënies së inflacionit erdhi në ngadalësim në tremujorin e tretë, ndërsa inflacioni bazë vijon të mbetet mbi objektiv.
Ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.2% në tremujorin e dytë, duke shënuar përmirësim krahasuar me periudhën paraardhëse. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se kjo trajektore rritjeje ka vijuar edhe në tremujorin e tretë. Rritja ekonomike është diktuar nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e të ardhurave nga turizmi. Ajo është pasqyruar në zgjerimin e aktivitetit në sektorin e shërbimeve e të ndërtimit, ndërkohë që sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pasur një ecuri më të dobët”, theksoi Sejko gjatë fjalës së tij./abcnews.al