Projektbuxheti i 2024/ Pranvera Resulaj: Rritja e të ardhurave do na çojë në performancë më të mirë

schedule14:38 - 1 Nëntor, 2023

schedule 14:38 - 1 Nëntor, 2023

TIRANË– Anëtarja e komisionit parlamentar të ekonomisë Prenvera Resulaj, foli për projekt-buxhetin e vitit 2024 dhe klimën e përgjithshme të ekonomisë shqiptare.

Gjatë intervistës në “Money Report”, deputetja e PS-së tha se rritja e të ardhurave në buxhet do ndikojë drejtpërdrejt në shtim të investimeve në infrastrukturë, por dhe rritjen e pagave në sektorin publik.

“Të shkosh mbi 7 miliardë dollarë, sigurisht që tregojnë se do ketë hapësira më të madha për të mbuluar si elementët kryesorë, në investimet infrastrukturore, por edhe atë që është deklaruar vitin e kaluar që ka të bëjë me rritjen e pagave, ose reformës së pagave”, tha ajo.

Deputetja e Partisë Socialiste thotë se shtimi i të ardhurave bën që të këtë një konsolidim fiskal dhe një stabilitet ekonomik.

“Rritja e të ardhurave dhe rishpërndarja do na çojë tek një performancë më e mirë e buxhetit të vitit 2024, i cili në nivelin makro është shumë e rëndësishme që të sigurojë atë që quhet konsolidim fiskal për të ruajtur parametrat e stabilitetit makroekonomik dhe kjo është shumë e rëndësishme”, shtoi ajo.

Ajo tha se përgjatë viti të ardhshëm vendi do ketë një buxhet me deficit të pandryshuar, një e dhënë kjo shumë premtuese për ekonominë shqiptare.

“Do kemi një buxhet i cili ka një deficit buxhetor të pandryshuar dhe ka një balancë korrente pozitive. Borxhi që ka marrë qeveria ka shkuar për investime publike dhe jo në shpenzime. Këto janë elementë që tregojnë konsolidimi fiskal. Borxhi publik ka ardhur në atë trajektore rënëse dhe presupozohet se do shkojë nga 62-60 % e GDP, që është një tregues shumë i mirë i borxhit publik. Kushtet janë të tilla që e mundësojnë një përmirësim apo ulje të borxhit publik”, tha deputetja.