Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko bëri thirrje që të ndalen menjëherë armiqësitë në Ukrainë dhe të zhvillohen negociata “për tokën dhe për paqen”.
“Unë besoj se ka mjaft njerëz të zgjuar në Ukrainë. Është e nevojshme të ulemi në tryezën e negociatave dhe të negociojmë. Siç thashë një herë: nuk nevojiten parakushte. Gjëja më e rëndësishme është të japim një komandë ndalimi. Të thuash: le të ndaloni në mesnatë, asnjë forcë nuk do të lëvizë, askush nuk do të qëllojë, askush nuk do të tërheqë rezerva, nuk do të rikthehen komunikimet. Ne ndalojmë dhe negociojmë. Për tokën dhe për paqen”, tha Lukashenko gjatë udhëtimit të tij në rajonin e Minskut, shkruan Tass.
Udhëheqësi bjellorus vuri në dukje se nevoja për fillimin e menjëhershëm të negociatave tregohet edhe nga sugjerimet e Uashingtonit për Ukrainën se ndihma e SHBA për Kievin “nuk është e pakufishme”.
Lukashenko beson se Kievi mund të gjendet në një situatë kur Ukraina nuk do të jetë më në gjendje të përdorë armët e ofruara për shkak të mungesës së burimeve njerëzore.
“Njerëzit po ikin nga Ukraina, askush nuk dëshiron të luftojë. Ata do të kenë armë, por nuk do të kenë njerëz,” theksoi ai./abcnews.al