Kanë mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme, dy avokatët e caktuar nga shteti për seancën e kësaj të enjtje, në orën 10:00, për ish kryeministrin Sali Berisha, lidhur me akuzat ndaj tij për korrupsion pasiv, për privatizimin e ish kompleksit sportiv, “Partizani”.
Gazetari i ABC News, Ermal Vija raportoi se avokatet që kanë mbërritur janë Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.
“Seanca është parashikuar të fillojë në orën 10:00. Përveç dy prokurorëve janë dy avokatë të zgjedhur kryesisht nga shteti. Kjo nisur nga situata e djeshme, nga seanca e djeshme, dy avokatët e Berishës u larguan nga seanca, pasi një kërkesë e tyre u refuzua nga gjykata. Më pas, gjykata caktoi zotin Artan Simoni si avokat, por prokuroria kërkoi përjashtimin e tij. Më pas, u caktuan dy avokatë kryesisht, të cilët janë njohur me akuzën ndaj zotit Berisha, Në përfundim të seancës, pritet që gjykata të vendosë që hetimet do të vazhdojnë me masën detyrim paraqitje, apo do të ketë një tjetër vendim të gjyqtares Irena Gjoka. Zoti Berisha edhe mund të mos i njohë dy avokatët kryesisht nga ana ligjore, sa i takon procedurës, por nëse gjykata i legjitimon, atëherë dy avokatët do mbrojnë interesat e zotit Berisha. Vendimmarja do t’i takojë gjykatës”, raportoi gazetari Vija.
Në njoftimin e prokurorisë, Berisha akuzohet se ka konsumuar veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Sipas SPAK, Sali Berisha i cili në atë kohë mbante postin e kryeministrit, ka ushtruar presion ndaj administratës për përfundimin sa më parë të procedurave të privatizimit të ish-klubit Partizani nga i cili dhëndri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro./abcnews.al