“Bisedimet nuk kanë dhënë rezultat”, palestinezët kritikojnë rolin e Autoritetit Palestinez në konfliktin me Izraelin

schedule18:28 - 25 Tetor, 2023

schedule 18:28 - 25 Tetor, 2023

Palestinezët në Bregun Perëndimor thonë se Autoriteti Palestinez, veçanërisht presidenti i tij, Mahmoud Abbas duhet të ndërmarrë një qasje më të ashpër dhe kundërshtuese ndaj Izraelit. Siç njofton nga Ramallahu, në Bregun Perëndimor, korrespodenti i Zërit të Amerikës, Yan Boechat, shumë palestinezë atje, mendojnë se dekada të tëra bisedimesh me Izraelin nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Në rrugët e Bregut Perëndimor ndjehet zemërim dhe zhgënjim. Pas më shumë se dy javë luftimesh mes Izraelit dhe Hamasit, shumë palestinezë thonë se konflikti po ashpërsohet. Ata kritikojnë Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, i njohur edhe si Abu Mazen.

“Abu Mazeni nuk është i aftë të bëjë asgje. Nuk është në gjendje të na mbrojë. Shpresa jonë e vetme është tek vendet që mund të ndikojnë mbi Izraelin”, shprehet Othman Hassan .

Ai është nënkryetari i fshatit të vogël palestinez Qusra, në Bregun Perëndimor. Më 11 tetor, fshati u sulmua nga banorë të vendstrehimeve hebreje në këtë zonë. Sipas ministrisë së shëndetësisë palestineze, për pasojë, 4 persona mbetën të vrarë. Sipas njoftimeve të ndryshme, që kur grupi militant i Hamasit kreu sulmin në jug të Izraelit në 7 tetor, rreth 100 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor, nga forcat izraelite ose banorë të vendstrehimeve hebreje.

Ndërsa dhuna përshkallëzohet, po shtohen thirrjet për rezistencë më të fortë në vend të bisedimeve të mbështetura nga Autoriteti Palestinez përgjatë dekadave të fundit.

Shumë thonë se mbajtja e një qëndrimi jo agresiv ndaj Izraelit nga zoti Abass dhe Autoriteti Palestinez nuk ka qenë i dobishëm për palestinezët.

“Ndërsa shtohet trysnia mbi palestinezët, çdo grup që synon t’i kundërvihet Izraelit, fiton më shumë mbështetje. Nuk jam shqetësuar për mbështetjen tonë. Jam i shqetësuar për faktin që bota nuk e sheh se sa rëndësi ka që t’i jepet fund konfliktit”, shprehet Sabri Saidam, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror Fatah

Zoti Saidam e pranon se pas luftës në Gazë dhe përshkallëzimit të dhunës në Bregun Perëndimor trysnia mbi Autoritetin Palestinez po shtohet.

“Njerëzit e kanë të vështirë të kontrollojnë zemërimin dhe presin nga ata që janë në pushtet që të bëjnë më shumë dhe ne po bëjmë çdo gjë që mundemi, në çdo pikëpamje sepse duam që ky konflikt të marrë fund”. Javën e kaluar, qindra persona dolën në rrugët e Ramallahut për të protestuar ndaj zotit Abbas dhe Autoritetit Palestinez. Forcat e rendit u përplasën me protestuesit.

“Së pari, gjykoj se Autoriteti Palestinez dhe përfaqësuesit e tij duhet të fillojnë të mendojnë një rrugë tjetër sepse 30 vjet bisedime nuk kanë shërbyer për asgjë”, thotë mësuesi Feras Hasan. Ndërsa ndasitë në Bregun Perëndimor shtohen, e vetmja gjë që duket se i bashkon këta palestinezë është ndjesia se e më e keqja nuk ka ndodhur akoma./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!