Avokati Arbër Hoxhaj në një intervistë në “Special Report” në ABC u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha duhet të ishte paraqitur personalisht në seancë.
Gjatë kësaj interviste, avokati Hoxhaj sqaroi hapat dhe procedurat ligjore që ndiqen nga autoritetet për rastin në fjalë.
“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar me referendum popullor në vitin 98. Nga viti 98 deri në 2012 nuk ka ndryshuar në asnjë moment . Pra deputeti i Kuvendit të Shqipërisë nuk mund të arrestohej, ndalohej dhe të merrej asnjë masë tjetër, as nuk mund të merrej në procedim penal nëse ndaj tij nuk ishte marrë më parë autorizim paraprak i Kuvendit. Në vitin 2012 dhe më pas në 2016 me ligjin për reformën në drejtësi u ndryshua neni 73 i Kushtetutës, ku kërkohej autorizimi i Kuvendit në rastet e masave të sigurimit personal, me karakter shtrëngues, të arrestit në burg dhe të arrestit në shtëpi. Në bazë të përzbatimit të Kushtetutës ka dalë edhe kodi i procedurës penale i cili është një ligj që miratohet me 3/5 e votave, pra do të thotë që neni 288 dhe 289 janë shterues. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë për të dhënë autorizimin e tij në rastin e caktimit të dy masave të sigurimit, të arrestit me burg, apo të arrestit të shtëpisë , ose në rastet e kontrollit personal ose të banesës. Vetëm në këto raste drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme i drejtohet Kuvendit, në rastet e tjera nuk ka nevojë t’i drejtohet Kuvendit. Madje në neni 289 i kodit të procedurës penale përcakton se nëse drejtuesi i Prokurorisë së Posacme i drejtohet Kuvendit për të dhënë autorizim për “arrest në burg” apo “arrest në shtëpi” dhe Kuvendi nuk e jep autorizimin, Prokurori i çështjes mund t’i drejtohet gjykatës për të caktuar një masë tjetër të karakterit shtrëngues personal, siç mund të jenë: detyrimi për tu paraqitur, ndalimi për të dalë jashtë shtetit, apo ndalimi për të ushtruar një profesion. Personi nën hetim dhe i dyshuar nga ana e gjykatës, nga ana e të cilës është marrë një masë sigurimi, ka gjitha mjetet procedurale që i gjykon të nevojshme në mbrojtje të interesave të tij. Sigurisht që nuk është hera e parë pasi janë artifica të përdorura nga mbrojtja, jo vetëm nga Berisha por edhe nga persona të tjera. Duke u munduar që të zvarritin çështjen për të pretenduar që gjykata është e njëanshme. Në këto kushte, kodi i procedurës penale parashikon mënyra ekzakte të kërkesës për përjashtim që bëhet jo më vonë se tre ditë më parë se të biesh në dijeni të shkakut, dhe depozitohet në sekretari. Megjithatë gjykata mund të vendosë mbi masën e sigurimit. Zoti Berisha, apo çdo person tjetër, shpesh herë përdorin mjete të tjera procedurale për të zvarritur procesin gjyqësor, apo për të thënë që procesi nuk është i pavarur”, theksoi ai.
Sa i përket kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, avokati tha se thjesht po kërkohet që të zvarritet procesi. Më tej ai theksoi se Berisha mund të ishte përfaqësuar nga një apo dy mbrojtës, por duhet të ishte i pranishëm në proces.
“Nëse gjykata do të respektonte strikte ligjin procedural penal nuk duhet të toleronte që personi në hetim, ndaj të cilit është caktuar masë sigurimi, të përfaqësohej vetëm me avokatin, pasi nuk është caktuar masa e sigurimit ndaj avokatit, por ndaj deputetit. Berisha duhet të ishte, pasi neni 248 thotë që jo më vonë se 3 ditë gjykata merr në pyetje, personin ndaj të cilit është caktuar një masë sigurimi. Nëse gjykata do të respektonte ligjin procedural penal nuk duhet të lejonte që të mbrohej vetëm nga avokati pa qenë zoti Berisha në sallën e gjykimit. Ligji procedural penal dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikojnë momentin nëse ky person ndaj të cilit është caktuar një masë sigurimi e ndryshme nga arrestim me burg apo arrestit të shtëpisë, dhe nuk shkon pranë gjykatës se çfarë do të veprohet. Pasi Policia e Shtetit nuk mund të prekë një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, pa autorizimin e Kuvendit, pra nëse një deputet pavarësisht emrit, nuk shkon vullnetarisht pranë gjykatës, prokurori i çështjes duhet të njoftojë drejtuesin e Prokurorisë dhe logjika e do që Prokurori ti kërkojë autorizim Kuvendit për përshkallëzim e masës së sigurimit nga detyrim për tu paraqitur, në arrest shtëpie apo arrest me burg”, tha ndër të tjera avokati./abcnews.al/