Ish-presidenti amerikan, Donald Trump sapo ka mbërritur në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut në Manhatan. Ai përballet me akuzat për mashtrim civil që kërcënojnë perandorinë e tij të biznesit.
Ish-presidenti dhe Organizata Trump akuzohen për mashtrim dhe se biznesmeni kishte rritur vlerën e 23 pronave dhe aseteve të tij në shumën prej qindra miliona apo edhe miliarda dollarësh.
Gjykatësi për këtë çështje, Arthur Engoron, ka vendosur se Trump ka keqinterpretuar pasurinë e tij.
Pasuria e Trump në Mar-a-Lago në Florida u mbivlerësua me 2,300% në një deklaratë financiare dhe Trump Tower në qytetin e Nju Jorkut u prezantua si trefishi i madhësisë së tij aktuale, thuhej në vendim.
Kjo seancë fokusohet në 6 padi të tjera, duke përfshirë falsifikimin e të dhënave të biznesit, mashtrimin e sigurimeve dhe komplotin.
Në seancën e parë, avokati Kevin Wallace, tha se të pandehurit falsifikuan të dhënat për përfitime personale.
Trump i ka mohuar akuzat.