Finalizohet operacioni i koduar “Rrugëtimi”. Policia e Tiranës bën me dije se janë vënë në pranga 16 shtetas. Ndërkohë në kërkim raportohet se janë shpallur edhe dy të tjerë.
Si rezultat i tij u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: Devis Beqiri, Gentian Beqiri, Erjon Bajramaj, Dinë Thaqi, Ermal Merdani, të gjithë banues në Tiranë.
Gjithashtu u ndaluan shtetasit; Lorin Bregoniva, Almed Hoxha, Elton Qorri, Albi Dyrmishi, Florian Muçogalli, Saimir Dervishi, Admir Hoxha, Gëzim Hoxha, Artur Spaho, Tomor Mustafaj, Albert Bakaj.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin medikamente të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, nga Greqia, Italia dhe Kosova, të cilat më pas i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë, me çmime shumë të larta.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të këtij operacioni, në disa banesa dhe farmaci në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me vlerë rreth 50000 euro.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al/