Qindra protestues u mblodhën në sheshin “Times Square” të New York-ut të enjten për të kërkuar lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi, ndërsa Presidenti Joe Biden përballet me trysninë në rritje për të përdorur çdo mjet diplomatik për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane.
Në ekranet gjigande u shfaqen fotot e atyre që besohet se po mbahen peng nga Hamasi, përfshirë foshnjat dhe të moshuarit, ndërsa protestuesit brohorisnin për lirimin e tyre.
Mes folësve në tubim ishin edhe Ronan dhe Orna Neutra, djali 22-vjeçar i të cilëve, Omeri, mendohet se është marrë peng. Ata e përshkruan atë si një udhëheqës natyral dhe atlet të zjarrtë që drejtonte ekipet e basketbollit, volejbollit dhe futbollit në shkollën e tij.
Nipi i të mbijetuarve të Holokaustit, Omer Neutra shtyu planet për shkollën e lartë për të shkuar në Izrael, ku u bashkua me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit.
Natën përpara sulmeve, 22-vjeçari Neutra foli në telefon me prindërit e tij, duke u thënë atyre se mezi priste një fundjavë të qetë pas një muaji patrullimi në kufi, tregoi babai i tij.
“Jemi zemërthyer dhe të shqetësuar”, tha nëna e tij. “Por jemi të përqendruar dhe të vendosur të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që Omeri të kthehet në shtëpi”.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Hamasi po mban peng rreth 200 persona pas sulmit të befasishëm të grupit palestinez më 7 tetor në Izrael, kur militantët vranë rreth 1400 izraelitë.
Ndërsa nuk ka asnjë listë zyrtare të amerikanëve të rrëmbyer, republikani kryesor në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Jim Risch, u tha gazetarëve të mërkurën se 10 nga pengjet ishin amerikanë. “Përparësia jonë kryesore është kthimi i tyre në shtëpi”, tha zoti Risch.
Protesta e së enjtes në New York u organizua nga Këshilli Izraelit Amerikan, një organizatë jofitimprurëse e cila përfaqëson izraelito-amerikanët në SHBA.
Folësit në protestë, përfshirë Senatorin Chuck Schumer, udhëheqësi i parë në histori i shumicës në Senat me prejardhje izraelite, u zotuan të qëndrojnë me Izraelin dhe të luftojnë kundër Hamasit.
Amerikanët anembanë SHBA-së po protestojnë pothuajse çdo ditë në mbështetje të Izraelit ose popullit palestinez, ndërsa shfaqen hapur dallimet për konfliktin prej disa dekadash në Lindjen e Mesme./VOA