Engin Firat prej një muaji nuk është parë në Shkodër. Drejtori sportiv nuk ka më një kontratë me Vllazninë, por gjatë verës ka qenë krah administratorit Suad Lici për të ndërtuar skuadrën. Vështirësitë kanë qenë të shumta në kampin kuqeblu dhe Firat tregon për turqit situatën me të cilën është dashur të përballet.
“Fillimi i sezonit ishte i keq për ne. Për arsye politike nuk ishim në gjendje të bënim transferime një muaj para nisjes së kampionatit. Kishte kaos politik në qytetin e Shkodrës, për shkak të zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Para nuk kishte, pasi i gjithë buxheti i klubit vjen nga Bashkia. Të gjithë thonë se e duan ekipin, por asnjë nuk ndihmon. Në fakt kishte shumë nga ata që u munduan ta shfrytëzojnë në favorin e tyre atë situatë. Pra është e pamundur të krijosh një ekip të ri dhe të përgatitesh për kampionat në këto kushte”, tregon Firat.
Gjithsesi ka edhe nga ata që janë munduar t’i ndihmojnë: “ Dua të falënderoj kryebashkiaken Voltana Ademi, e cila ka qenë mbështetja e vetme në këtë proces. Bekim Mema, krahu im i djathtë në klub, bëri një përpjekje të jashtëzakonshme në këtë proces. Do kisha dashur të falënderoja disa biznesmenë për përkrahjen e tyre, por fatkeqësisht na lanë vetëm”.
NDËRTIMI I EKIPIT – Firat lë të kuptoje se do të jetë pjesë e Vllaznisë në vazhdim, teksa tregon se si e bënë ekipin dhe çfarë objektivash kanë. “Këtë sezon kam formuar një ekip të ri. Kanë mbërritur 14 lojtarë dhe është ndërtuar një bazë e fortë. Duam të luajmë futboll të mirë këtë vit. Vitin tjetër mund të synojmë kampionatin, duke bërë 2-3 përforcime”, shtoi Firat.
JETESA NË SHKODËR – “Nuk kam pasur probleme me përshtatjen, është një vend që përafron për nga kultura me Turqinë. Për fat të keq kanë zakone të këqija si në Turqi, shumë përzihen me klubin dhe nxjerrin thashetheme. Qyteti është një vend i bukur dhe historik. Është një nga ato vende ku Turqia ka lënë gjurmët e veta. Zakonisht më thërrasin ‘turk’, jo Firat”.
NDESHJA MES TURQISË DHE SHQIPËRISË – “Një ndeshje e vështirë, një nga sfidat vendimtare të grupit. Ky është shansi i fundit i Shqipërisë për kualifikim. Mendoj se 99 për qind kualifikohet Turqia. Shqipëria ka gjithashtu një ekip të fortë dhe e treguan diçka të tillë në ndeshjen me Islandën. Turqia është favorite, por është një takim i vështirë. Ai që do luajë i qetë dhe me zemër do ketë epërsi”, ka përfunduar Firat. /abcnews.al