Politikani i të Gjelbërve, Konstantin von Notz, i cili kryeson Komisionin e Kontrollit të Inteligjencës, shprehu shqetësimin për situatën e sigurisë në Gjermani pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Situata e sigurisë, e cila edhe më parë ishte “mjaft e tensionuar” ndër të tjera për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, “është përkeqësuar ndjeshëm tani pas ngjarjeve të fundit në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Përfaqësuesit e disa institucioneve kompetente iu përgjigjen pyetjeve të komisionit të Bundestagut përgjegjës për kontrollin e shërbimeve të inteligjencës në një seancë të hapur për publikun (16.10.2023) duke përfshirë kryetarët e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV), Shërbimit Informativ Gjerman (BND) dhe Zyrës Federale për Kundërzbulimin Ushtarak. Situata e sigurisë në Gjermani, si rezultat i sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, ishte një nga çështjet kryesore. Përveç kësaj, duhet të diskutohen edhe aktivitetet ruse, me të cilat Kremlini po përpiqet të ushtrojë ndikim në Gjermani.
Përpjekja për destabilizimin e demokracisë
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të sigurohemi që nga situata aktuale të mos përfitojnë protagonistët e tjerë, të cilët kërcënojnë sigurinë tonë”, tha von Notz. Duke vepruar kështu, ai u referohet shërbimeve të inteligjencës të vendeve të tjera, që “qëllimisht janë përpjekur të destabilizojnë demokracinë tonë për një kohë të gjatë”. Ai shton se “ekstremizmi i organizuar i djathtë dhe terrorizmi” përbëjnë gjithashtu një rrezik. Von Notz përsëri bëri thirrje për mbylljen e shoqatave si Qendra Islamike në Hamburg (IZH). IZH, e cila është monitoruar për dekada nga Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (shërbimi sekret që vepron brenda Gjermanisë), shihet si një dorë e zgjatur e regjimit iranian, i cili përgëzoi organizatën terroriste Hamas për sulmin ndaj Izraelit të shtunën dhe e përshkroi atë si “një pikë kthese dhe një vazhdim i luftës në formën e rezistencës së armatosur”.
Një lloj “Gaze në Gjermani”?
Ambasadori i Izraelit në Gjermani, Ron Prosor, paralajmëroi se “asnjë lloj Gaze nuk duhet të lejohet të shfaqet në tokën gjermane”. Një rrezik i tillë kërcënon, nëse shoqatat si rrjeti palestinez Samidoun dhe mbështetësit e tjerë të Hamasit vazhdojnë të abuzojnë me demokracinë gjermane, tha ai në një program të përbashkët mëngjesi të shërbimeve televizive publike gjermane ARD dhe ZDF. Anëtarët e shoqatës palestineze Samidoun dhe simpatizantët e tyre festuan sulmet e Hamasit ndaj Izraelit në rrugët e Berlinit dhe qyteteve të tjera gjermane. “Gjermania nuk duhet të lejojë më që yjet e Davidit të shënohen në shtëpitë hebreje në Berlin, prandaj shumë hebrenj nuk guxojnë më të dalin në rrugë”, tha ai. Lidhur me situatën aktuale në Izrael, Prosor shtoi se është e qartë “që popullsia palestineze në Rripin e Gazës duhet të çlirohet nga Hamasi”. Pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira, Izraeli sipas tij, nuk mund të garantojë mbrojtjen e popullatës së pafajshme civile, për sa kohë që Hamasi i përdor këta njerëz si mburoja.
Ndryshim paragrafesh në ligj?
Politikanët gjermanë kanë bërë thirrje edhe një herë për veprime më të ashpra kundër agjitatorëve antisemitistë në Gjermani. Nënkryetarja e CDU-së, Karin Prien tha: “Ne duhet t’u heqim hapësirën për të vepruar, të mbyllim xhamitë, kafenetë dhe klubet e tyre dhe të konfiskojmë paratë që përndryshe do të përdoreshin, për t’i dhënë fund terrorit në botë”. Prien, zëdhënëse e Forumit Hebraik të CDU-së, në një artikull për gazetën “Bild” shkruan se pasojat ligjore të mbështetjes së terrorit dhe antisemitizmit duhet të shtrëngohen në të gjitha fushat. Megjithatë, ajo nuk e ka shpjeguar më konkretisht këtë.
Përfaqësuesi i qeverisë gjermane për antisemitizmin, Felix Klein, propozoi që nxitja e urrejtjes të sanksionohet edhe më ashpër. Klein u tha gazetave të grupit mediatik Funke, se në të ardhmen paragrafi për nxitjen dhe përhapjen e urrejtjes duhet të zbatohet pa qenë nevoja të vërtetohet se ka pasur shkelje të qetësisë publike, siç ishte rasti më parë. Në praktikë, shpesh lindin vështirësi në zbatimin e rregulloreve ekzistuese. “Në të kaluarën ka pasur një sërë ndërprerjesh të hetimeve, të cilat janë pritur me keqkuptim si nga personat e prekur ashtu edhe nga publiku./DW