Fitorja e Albin Kurtit, Shkullaku: Lajm i mirë edhe për rajonin

schedule21:21 - 8 Tetor, 2019

schedule 21:21 - 8 Tetor, 2019

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë ishte tema që u diskutua këtë të martë në emisionin “Provokacija” mes gazetarit Mustafa Nano dhe analistit Armand Shkullaku. Ky i fundit tha se nuk ishte i habitur për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet.

“Nuk jam i habitur. Vazhdimisht zgjedhjet kanë qenë të tilla. Nuk ka pasur kontestime të rezultatit, ka pasur probleme gjatë votimit, akuza për blerje vote, por momenti final, të gjitha palët pranojnë vullnetin e popullit që është brenda kutive të votimit”, tha ai.

Shkullaku tha se qytetarët kosovarë e konsiderojnë shtetin të shenjtë, drejtësia nuk është vegël e pushtetit dhe ndryshe nga Shqipëria ka një shoqëri civile shumë aktive. Fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, Shkullaku e sheh si ndryshimin e madh politik për Kosovën, por është lajm i mirë edhe për rajonin.

“Unë mendoj se është një lajm i mirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin . Po të shikosh, jo vetëm Shqipëria, Mali i Zi, Serbia është e njëjta kastë politike që riciklohet, ka 30 vjet në pushtet. Jo rastësisht rajoni është më i prapambeturi. Nëse ndryshimi ka ndodhur në Kosovë është lajm i mirë sepse mund të ndodhë edhe këtu, mund të ndodhë edhe në vende të tjera. Ka shpresë për ndryshim”, tha ai.

Sipas tij, do të ketë një marrëveshje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Albin Kurtit.

“Unë them se po, sepse besoj se do të ketë një marrëveshje mes LDK dhe Albin Kurtit sepse këtë radhë zgjedhjet në Kosovë nuk ishin thjesht zgjedhje e qytetarëve për të bërë rotacion politik. Këtë radhë qenë zgjedhje për të bërë ndryshim të madh politik. Kështu që ndryshimi nuk mund të ndalet me makinacione që mund të bëhet nga LDK, që të afrohet me PDK-në të blejnë ca deputetë, këtej andej. Kur ka një frymë të tillë është e pamundur që makinacionet e vogla të ndryshojnë një vullnet kaq të madh”, tha ai.

Thuhet që paraja dhe pushteti janë dy fuqi të mëdha që e transformojnë njeriun. Por Armand Shkullaku beson se kjo nuk do të ndodhë me Albin Kurtin. Sipas tij, ai është një individ që ka kaluar prova të vështira dhe është munduar ta ruajë boshtin dhe parimet e tij. Gjithashtu sipas analistit, fitorja e Kurtit nuk i ka pëlqyer kryeministrit të Shqipërisë.

“Futja e Albin Kurtit në lojë ndryshon padiskutim edhe terrenin gjeopolitik në rajon kur Ramës mund t’i bien gradat e liderit global, pra që kishte në dorë fatin e rajonit, që do bënte bashkimin e sërbëve me shqiptarët etj. Është ndryshe kur ishte Thaçi, Rama, Vuçiç”, tha Shkullaku./abcnews.al